“Azizi”, filmi ku “aktrojnë” ata që kanë përjetuar tmerret e komunizmit në Shqipëri

Shijaktv
Me datë 25 tetor, në Kinema Millenium, do të shfaqet filmi “Azizi” nga Luljeta Progni. Subjekti i filmit “Azizi” është ngritur nëpërmjet rrëfimeve të të mbijetuarve nga kampet më famëkeqe në vitet e para të persekutimit nga regjimi komunist i sapovendosur në Shqipëri. Historia përshkruan ngjarjet e një prej të mbijetuarve, Azizit, ndërthurur edhe me rrëfimet nga të mbijetuarit e tjerë. Gjatë 90 minutave, historia tregohet pa ndryshuar asnjë emër, kronologji, apo episod. Personazhet në film janë me emrat e tyre të vërtetë, ngjarjet që zhvillohen dhe dialogu mes personazheve është gjithashtu ai i dokumentuar në kujtesën e tyre dhe skenografia e mbështetur mbi artefaktet e kohës. Sipas skenaristes dhe producentes, Luljeta Progni: “Filmi zbulon atë që është fshehur për 70 vjet nga të gjithë pushtetarët shqiptarë, terrori komunist ndaj shqiptarëve të pafajshëm: grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Ajo që bën filmi, është thjesht vendosja e kameras në vitet 1948-1954, në disa prej kampeve më famëkeqe: Kuçovë, Berat, Turan dhe Tepelenë, pa shtuar apo hequr asgjë nga e vërteta.” Drama që zhvillohet, përfundon me një episod shpresëdhënës, kur Azizit i lind fëmija e parë në internim, shpresë që personazhi kryesor në fund të një interviste e quan të humbur.