Përçarje në qeverinë e MV/ Shqiptarët kërkojnë që përkufizimi kushtetues “gjuhë që e flet 20% e popullsisë”, të zëvendësohet me “gjuhë shqipe”

Grupi i punës për ndryshime kushtetuese nuk ka mandat të diskutojë për ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila në aktin më të lartë juridik në vend, njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë që jeton në këtë shtet.
Kështu ka deklaruar kryetarja e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca-Nikollovska, duke komentuar paralajmërimet e partisë Aleanca për Shqiptarët dhe të zyrtarëve të saj që janë në qeveri se “ndryshimet duhet të përfshijnë edhe përkufizimin e ri të gjuhës shqipe në Kushtetutë”.

Nikollovska ka deklaruar për mediat maqedonase se mandati i grupit të punës është i kufizuar dhe se nuk do të ketë lëvizje nga ajo që është ngarkuar nga Qeveria Maqedonisë së Veriut.
Nikollovska ka thënë se grupi i punës do të votojë rregulloren që ka të bëjnë me pikat, për të cilat do të punojë dhe do të sjellë vendime që më pas do të miratohen në Kuvendin maqedonas.
Grupi i punës është formuar me kërkesë të Qeverisë për hartimin e ndryshimeve në Kushtetutë bazuar në konkluzionet e Kuvendit për “propozimin francez” e që kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulës e Kushtetutës, si popull shtetformues.

Por, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në një prononcim për medoat, ka thënë se debat do të ketë edhe për gjuhën shqipe për përkufizimin e së cilës pret të ketë zgjidhje.
“Ne do të procesojmë vetëm ato tema, për të cilat do të arrihet numri i nevojshëm i votave dhe unë shpresoj se edhe kjo çështje, e cila na prek neve si shqiptarë, do të marrë vëmendjen e duhur dhe zgjidhjen e duhur ligjore. Besoj se kjo dhe çështje tjera që unë i kam kërkuar, do të mund futen në pakon e ndryshimeve kushtetuese dhe ato të votohen”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Lloga.

Nga ana tjetër, një mundësi të tillë e ka përjashtuar kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai ka thënë se prioritet do të ketë vetëm pjesa e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Sofjen.
“Unë mendoj se ne kemi një prioritet. Në Kuvend kemi miratuar një kornizë negociuese që është pranuar edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët. Ne do të shohim se si do të rrjedhin bisedimet, por vlerësojmë se hapja e kapitujve dhe vazhdimi i rrugës së integrimit në BE deri në vitin 2030 është prioriteti ynë kryesor”, ka deklaruar Kovaçevski.

Por, nga Aleanca për Shqiptarët thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ndryshimin e statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë.

Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se partitë maqedonase duhet t’i përmbahen një premtimi që kanë dhënë në vitin 2019 për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Kërkesa jonë është që formulimi 20 për qind të zëvendësohet me fjalën “gjuhë shqipe”. Kjo përkrahet nga të gjitha partitë politike shqiptare që janë të përfaqësuara me deputetë në Parlament. Partitë maqedonase së paku deklarativisht kanë thënë se kjo nuk iu prishë punë”.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat, apo me 80 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen as për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

 

 

%d bloggers like this: