Qytetarët kanë një armik, qeverinë!

Nga Luçiano BOÇI

Po të mbështetesh tek ligjërimi politik i fushatës së socialistëve në Elbasan, do të kuptosh se qytetarët e kësaj bashkie kanë një armik: ajo është qeveria!

Meqë bashkinë e drejtoka një njeri që ndërmjetëson me qeverinë, atëherë ky rrezik neutralizohet. Dhe ajo mund të bëhet miqësore – po u respektua ndërmjetësi.

Në të paktën 10 shfaqjet e fundit – drejtuesi politik i PS në Elbasan ka deklaruar se qeveria e ka mirë me kryetarin aktual. Kjo sipas tij garanton se premtimet boshe të një administrate që për 16 vjet nuk ka bërë dot as minimumin e pritshëm të punëve, duhen besuar.

Nuk po analizoj sa e dështuar ka qenë vetë qeveria! T’u thuash sot njerëzve se kjo qeveri që nuk ka përmbushur as detyrimet e veta do të plotësojë premtimet e një kukulle prej lecke, dëshmon një logjikë shumë të dyshimtë. Drejtuesi rilindas ka zgjedhur mesazhin e gabuar, qeverinë e gabuar dhe kukullën e gabuar për këtë shfaqje.

Nuk mund të ketë një qasje më poshtëruese për qytetarët e Elbasanit, një frazë më djallëzisht fyese, dhe njëherësh një arsyetim më të rrezikshëm për marrëdhëniet brenda-politike të një komuniteti qytetas, sesa ngulitja e bindjes se qeveria nuk njeh qytetarët, përveçse përmes filtrit të një ndërmjetësi.

Taksat që qytetarët elbasanas i paguajnë shtetit do t’u kthehen nga Qeveria me detyrim për t’u investuar në bashkinë e tyre, sepse janë paratë e djersës dhe të mundit të tyre.

Nuk ka qeveri që guxon të mbajë peng dhe të refuzojë përparimin e një rajoni kaq të rëndësishëm për fatet e vendit sa bashkia jonë.

Socialistët e ndershëm e dinë shumë mirë se kush i thotë të vërtetat edhe për ta dhe se kush mbron kauzat e tyre qytetare dhe projeksionet e tyre për zhvillimin e qytetit.

Ne jemi me qytetarët demokratë dhe socialistë të ndershëm, dhe të çdo lloj bindjeje. Bashkë me ta do të qeverisim një qytet të pastër, të jetueshëm dhe njerëzor.

%d bloggers like this: