Belind Këlliçi, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës ka bërë të ditur mbrëmjen e djeshme në RTSH se do të jetë Partia Demokratike që do të udhëheqë listën e kandidatëve të opozitës për Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe i pari në listën e koalicionit do të jetë Dr. Ilir Alimehmeti.
Këshilli bashkiak është parlamenti i qytetit, theksoi Këlliçi dhe shpjegoi:
“Partia e Lirisë e ka shprehur pozicionin e saj, e ka shprehur listën e kandidatëve. Do të ulem këto ditë për të negociuar termat e bashkëpunimit.
Do të jetë Partia Demokratike që do ta udhëheqë dhe nëse doni t’ju bëj një lajm, po jua jap lajmin: Ilir Alimehmeti do të jetë i pari në listën e Këshillit Bashkiak Tiranë në këtë koalicion, që për mendimin tim është një vlerë e shtuar për qytetin, vjen nga shoqëria civile, vjen nga bota e mjekësisë. Ku ka qytetar që nuk e pranon?! Edhe Erion Veliaj duhet ta pranojë, duhet të votojë Ilir Alimehmetin!”theksoi Këlliçi.
Dhe sot, Dr. Ilir AliMehmeti e ka përshëndetur vendimin dhe vlerësimin që i është bërë nga kolegu i tij në PD, Belind Këlliçi me fjalët: “Duke falenderuar me mirënjohje z. Belind Këlliçi për besimin dhe në përmbushje të fjalës së dhënë ndaj qytetarëve dhe demokratëve të Tiranës jam i privilegjuar të kryesoj listën qytetare për Këshillin Bashkiak të Tiranës.”