Emigrantët e kthyer gjejnë të njëjtën Shqipëri që lanë

Shqiptarët që kanë jetuar jashtë disa vite dhe po kthehen në Shqipëri, nuk vërejnë kurrfarë ndryshimi. Sipas anketës së INSTAT mbi migracionin, Shqipëria për ta ka mbetur në vendnumëro. Anketa e cila e shpjegon kthimin në Shqipëri vetëm nga qasja e azilkërkuesve, shifrat e të cilëve arritën kulmin në 2015-n me rreth 67 mijë, thekson se shumica prej tyre që janë rikthyer, zor se kanë gjetur ndryshime.

Papunësia ose puna në sektorin informal (50% e tyre) është një ndër faktorët kryesorë që i ka nxitur shqiptarët që të kërkojnë azil. Por në momentin e rikthimit në Shqipëri, shumica e tyre kanë pohuar se kjo mbetet po sfidë.

Sipas anketës, thuajse 36% e popullsisë të rikthyer janë të papunë, shpesh, afatgjatë. Nga ata që punojnë, 34 për qind bëjnë punë të pakualifikuar në sektorin joformal, që është e keqpaguar, rastësore dhe e pasigurt.

Të kthyerit janë regjistruar në zyrat e punësimit për të gjetur punë, por rezultatet sipas tyre kanë qenë mjaft shkurajuese, për shkak të mungesës së vendeve ekzistuese dhe të reja të punës. Shumica e tyre gjithashtu kanë shprehur pakënaqësi për sjelljen e keqe në shërbimin civil dhe burokracisë, konkretisht në zyrat e punës, gjë që zinte rreth 5% të arsyeve për t’u larguar.

Ndërkohë, të tjerë të cilët kanë dashur të ngrenë biznese të vogla, kryesisht në shërbime dhe infrastrukturë, nuk e kanë bërë dot për shkak të mungesës së financimit përmes kredisë.

Kujdesi shëndetësor që zinte 10% të arsyeve për largim, sipas shqiptarëve të rikthyer, lë po aq për të dëshiruar. Nëse në vendet e migracionit përfitonin kujdes të duhur shëndetësor, ata shprehen se në Shqipëri përballen me dy sfida.

E para është marrja e kujdesit shëndetësor. Disa të kthyer që janë të papunë ose punojnë në sektorin informal nuk kanë kartë shëndeti ose nuk kanë të drejtë të marrin shërbime shëndetësore falas. Ndërsa e dyta është cilësia e shërbimeve të kujdesit shëndetësor pasi ata tregojnë se ka raste kur mjekët nuk janë në gjendje që të përcaktojnë diagnozat.

30% e largimeve janë bërë për arsim duke përfshirë këtu mundësi më të shumta në kërkim shkencor dhe universitete më të avancuara(8% studentë) por dhe gjithëpërfshirjen dhe bullizmin. Por problemet në këtë fushë, janë evidentuar sërish pas kthimit në Shqipëri sipas anketës. Më të prekurit mbetën anëtarët e komunitetit rom.

%d bloggers like this: