Hiq partinë dhe pastaj mbetesh, hu ose njeri…

Nga Basir Çollaku
Politika në partitë shqiptare, është një zanat qiraxhinjsh, sforcuar, qepur keq, qindra herë përpara se të jetë një projeksion gati profesional, gatuar nga ambicie, idealizëm, passion, bindje, formim, kultivim, trashëgimi, vullnet për të bërë më mirë qeverisjen.
Karriera politike në dheun tonë, lëkundet mes aksidentit, orientimit, grimit të burimeve njerëzore, arnimit për të sajdisur pikëza ndryshimi për halle elektorale. Numra njëpërdorimsh në ditët zgjedhore, të targetuar të padobishëm më pas. Regjia e dhënies së licencave për drejtues, lidership, mandatmarrës, vendimmarrës, nuk u kanë lënë kohë surprizave të pakujdesshme, thuajse asnjëherë në këto 32 vite, të pluralizmit.
Në Partinë Socialiste, rrallëkush kishte dyshime se udhëheqja do të kapërcente bllokun, komitetin qendror, punëtorë, bashkëpunëtorë sigurimi, hetues, burokratë të lartë të sistemit.
Familjet e Diktaturës nuk do të hiqnin dorë. Fëmijët e persekutorëve të baballarw tanë, u bëmë persekutorë të fëmijëve.
Partia Demokratike ka qenë befasia dhe pritshmëria e ndryshimeve të mëdha. Natyrisht ka pasur dhe janë bërë.me hir apo pahir punë të shumta. Përfaqësimi është gjendur mes trukimeve jo fort bio dhe kjo ka lënë një litar kompromentues jashtë.
Vrapi dhe kacavjerrja pas partive politike në Shqipëri është kthyer në një biznes marramendës për disa, asgjësues për shumë të tjerë. Pragmatistët për të mbetur gjallë dhe marrë plaçkë gjithmone, gjejnë si mjet vrasjen e idealistëve.
Kur qarkullimi i elitave është më tepër gjuhësi se sa ndodhi, ka një pyetje thelbësore, diagnozë e realitetit ku jemi shtrirë.
Pyetja është:
I/e nderuar, kushdoqofsh në strehën e dashur të një Partie, të majtë apo të djathtë, në pushtet apo në opozitë, nëse të heqin PARTINE, çfarë mbetesh?!?!.
Mbetesh profesionist shumë i mirë, në drejtësi, mjekësi, inxhinieri, botën akademike, në fushën e sigurisë, shërbimeve, kudo të jesh investuar për të mbërritur te të bërit dikush??
Ka diçka në jetë mbi mesataren, me të cilën shumëkush jeton me dinjitet dhe njerëzit të duan, të vlerësojnë, të kërkojnë, kanë nevojë për punën tënde profesionale. Ky raport, sot duket i brishtë me kahje nga dështimi. Një pjesë jo e pakët, kanë kostum të përjetshëm interesi, Partinë. Nëse ua heq për drew mund të “vdesin”. Nëse e mbajnë, vegjetojnë dhjamërisht. Tendencat e këtij soji për të pushtuar dhe rrethuar partitë i çon ata drejt vdekjes klinike të besueshmërisë së tyre me votuesit. Ata lëkundin të bindurit dhe kthejnë kundër radikalisht të lëkundurit.
Partitë të cilat tentojnë të përfshijnë njerëz të vetëbërë, idealistë të tregut të ideve për ndryshime cilësore dhe jo thashethemexhinj emrash dështueshëm, zgjërojnë e forcojnë vetveten. Oferta me njerëz të zot e të lirë, të pavarur, ata që janë diçka dhe dikushi pa pratinë mbi supe. Ata nuk mund t’i këmbesh me ata që mbeten askushi, nëse partia ua neq stolin poshtë të ndenjurave.
Ky është vitus vrasës politik, por ndër partitë tona endet si pandemi e pashërueshme. Subjektet mbushur me limona të shtrydhur shumëvjeçarë, janë destinuar të vjedhin, gënjejnë, mashtrojnë, bëjnë pazare për të mbetur në treg. Rruga e tyre shkurtohet me orë. Nëse konsiderojmë se partitë shpërndahen shumica e oligarkisë banore në kurrizin e tyre do të ktheheshin në mjeranë të braktisur. Të tjerët, të duhurit e munguar, falë sojit të parë qëndrojnë dyshues. Këtu kujtojmë se në Shqipëri partitë janë oaz i madh ofiqesh shpesh të pamerituara. Krahas kësaj po partitë, kur mëkatarët e tyre janë në hall për shkak abuzimesh, korrupsioni, përballje me ligjin, gjithnjë e më shumë kanë shërbyer si mburojë, duke lehtësuar hallet. Natyrisht kjo ka pasur shpërndarje të brendshme qokash dhe partiakët e dinë mirë. Sido që të venë ujërat, njëra këmbë duhet mbajtur me çdo kusht brenda partisë. Sepse atje e gjen një shteg, një cep, një qoshe, një karrike, një derë, drtare, dorë apo krah, ndonëse mund të mos jesh në rrethin e meritueshmërisë. Shërbëtorët kurrizpërkulur kohëgjatë i duan të ngjashmit në hierarkinë partiake. Kjo në rastin më të mirë e bën një parti politike një ngordhësirë të grimuar, në rastin më të keq, një shpartallim të pandreqshëm.
Pyetjes po t’u heqësh partinë, çfarë mbeten pjesa më e madhe e oborrtarëve, funksionarëve, mandatarëve, është delikate në përgjigje
Plot prej tyre do të ishin hunj ku varen flamujt e partive.
Kjo nuk shkon larg.
Nuk sjell ndryshim
Nuk sjell reformë
Nuk sjell ofertë
Sjell një hiç që e hanë të paditurit, të gënjyerit, të pashpresët. Por koha ndryshon vetveten, ata që nuk e ndjekin, ka pika skrapi ku të prehen.
Militant, mbështetës, votues, drejtues, bëj një hesap me veten
Hiq partinë trego kush je, pastaj mbaje veshur sa të duash, kur dhe si të duash.
%d bloggers like this: