Trupat ruse vranë edhe të paktën 18 civilë gjatë sulmit në rajonin e Odesas në orët e para të së premtes. Të plagosurit janë me dhjetra, ndërsa autpritetet rajonale kanë raportuar për të tjera sulme pasuese, bilanci i të cilëve ende nuk dihet.
Shërbimet ukrainase të urgjencës bënë të ditur mëngjesin e së premtes se sulmet ruse me raketa kanë goditur ndërtesat e banimit në rajonin e Odesës në Ukrainë, duke shkaktuar 18 viktima dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë.
“Numri i të vdekurve në ndërtesë ka arritur në 18”, tha zëdhënësi i administratës ushtarake të Odesës, Sergei Bratchuk, duke shtuar se raketa u lëshua nga një aeroplan që vinte nga Deti i Zi.
Videoja e sulmit të së premtes tregoi rrënojat e djegura të ndërtesave në Odesa.
Një raketë e dytë që goditi rrethin Bilhorod-Dnistrovskyi të Odesës vrau tre persona, përfshirë një fëmijë dhe plagosi një person tjetër, sipas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës.
Raketa e dytë goditi ndërtesat tre dhe katërkatëshe të një qendre rekreacioni, shkroi ministria në Tëitter.
Sulmi i së premtes në Odesa pason tërheqjen e forcave ruse të enjten nga Ishulli i Gjarprit, një ishull kyç i Detit të Zi. Por, forcat ruse vazhduan ofensivën e tyre për të rrethuar bastionin e fundit të rezistencës në provincën lindore të Luhanskut.
Sipas deklaratës së një gjenerali ukrainas, Rusia ka goditur 68 objekte civile në gjysmën e dytë të qershorit.
Oleksii Hromov më herët tha se numri i sulmeve me raketa ruse në Ukrainë ishte dyfishuar në dy javët e fundit dhe se Moska po përdorte raketa me saktësi të ulët të epokës sovjetike në më shumë se gjysmën e sulmeve.
Rusia përdori një raketë të epokës sovjetike Kh-22 në sulmin në qendrën tregtare të mbushur me njerëz në qytetin qendror të Kremençukut të hënën, ku u vranë të paktën 18 persona, sipas autoriteteve ukrainase.
Rusia vazhdimisht mohon të ketë shënjestruar civilët.