Rusia shton sulmet në qytetin lindor të Ukrainës

Forcat ruse po godasin qytetin e Lisiçansk dhe rrethinat e tij në një përpjekje gjithëpërfshirëse për të kapur bastionin e fundit të rezistencës në provincën Luhansk të Ukrainës lindore, tha guvernatori i kësaj province, Serhiy Haidai të shtunën.

Luftëtarët ukrainas kanë kaluar javë të tëra duke u përpjekur për të mbrojtur qytetin dhe për ta mbajtur atë që të mos bjerë në duart e Rusisë, siç bëri fqinji Severodonjeck një javë më parë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj morën kontrollin e një rafinerie nafte në buzë të Lisiçansk ditët e fundit, por guvernatori Haidai raportoi të premten se luftimet për objektin vazhdonin.

“Gjatë ditës së fundit, pushtuesit hapën zjarr nga të gjitha llojet e armëve në dispozicion,” tha Haidai të shtunën në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Luhansk dhe Donjeck janë dy provincat që përbëjnë rajonin e Donbasit, ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj që nga tërheqja nga veriu i Ukrainës dhe kryeqyteti, Kiev, në pranverë.

Separatistët pro-rusë kanë mbajtur pjesë të të dyja provincave që nga viti 2014, dhe Moska njeh të gjithë Luhanskun dhe Donjeckun si republika sovrane.

Qeveria e Sirisë tha të mërkurën se do të njohë gjithashtu “pavarësinë dhe sovranitetin” e dy zonave dhe do të punojë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me separatistët.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se tre raketa kundër anijes goditën një ndërtesë apartamentesh në qytetin e vogël të Serhivka.

“Theksoj: ky është një terror i qëllimshëm i drejtpërdrejtë rus dhe jo ndonjë gabim apo një sulm aksidental me raketa”, tha Zelensky.

Kremlini ka pohuar në mënyrë të përsëritur se ushtria ruse po synon vendet e magazinimit të karburantit dhe objektet ushtarake, jo zonat e banuara.

Autoritetet ukrainase e interpretuan sulmin me raketa si shpagim për tërheqjen e trupave ruse nga një ishull afër Detit të Zi me rëndësi simbolike dhe strategjike në luftën që filloi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Moska e portretizoi largimin e tyre nga ishulli i gjarpërinjve si një “gjest vullneti të mirë” për të ndihmuar në zhbllokimin e eksporteve të grurit.

%d bloggers like this: