LUFTA NË MUAJIN E 6-të PAS SAMITIT TË MADRIDIT, SUPERFUQITË E NATO-s PREMTOJNË DËRGESA TË MËDHA ARMATIMESH NË UKRAINË

Pentagoni njoftoi se do të dërgojë në Ukrainë armë dhe municione shtesë, në vlerë prej 820 milionë dollarësh.

Pakoja e katërmbëdhjetë e armëve për forcat ukrainase përfshin dy sisteme të mbrojtjes ajrore, më shumë municione për lëshuesit e raketave precize “Himars”, të cilat SHBA-ja filloi t’i dërgonte në qershor, rreth 150,000 fishekë municione artilerie të kalibrit 155 mm, si dhe katër radarë shtesë kundër artilerisë.

Sistemet e mbrojtjes kundërajrore, të njohura si NASAMS, janë sisteme të raketave tokë-ajër me rreze të shkurtë dhe të mesme veprimi.

Lëshuesit me telekomandë supozohet të ndihmojnë forcat ukrainase të mbrohen kundër raketave lundruese.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e saj për t’i ofruar Ukrainës kapacitetet për t’i përmbushur kërkesat e saj në fushën e betejës”, tha sekretari për shtypin i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së, Todd Breasseale.

Me pakon e re të armëve, e cila mbështetet në furnizimet ushtarake amerikane, vlera e totalit të alokimeve për Ukrainën nga SHBA-ja ka arritur në 6.9 miliardë dollarë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Sakaq këtë javë në Britani mbi 450 trupa ukrainase përfunduan trajnimin për përdorimin e armëve të reja, përfshirë sisteme moderne raketash “MLRS”, të afta të lëshojnë disa raketa përnjëherësh. Këto armë vlerësohen si vendimtare në luftën kundër artilerisë ruse.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara e kanë furnizuar Ukrainën me disa sisteme të tilla si dhe armatime të tjera të rënda, mes të tjerash dronë, autoblinda, dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pavarësisht kufizimeve, disa anëtarë të NATO-s kanë bërë premtime të reja në takimin e Madridit.  Të enjten, Britania premtoi 1.3 miliardë dollarë shtesë në ndihma ushtarake, duke e çuar kontributin e saj të përgjithshëm në 2.8 miliardë dollarë.

Franca tha se planifikon të dërgojë gjashtë sisteme shtesë të artilerisë me rreze të gjatë veprimi, duke e çuar totalin në 18. Sipas njoftimeve, Ukraina i ka vendosur këto armatime në Detin e Zi, pranë ishullit të Gjarpërit, të rimarrë nga forcat ukrainase.

Gjermania është zotuar të dërgojë në korrik 15 tanke kundërajrore, ndërsa Spanja po shqyrton dërgimin e rreth 40 tankeve Leopard të prodhimit gjerman, megjithëse kërkohet miratimi i Berlinit.

Ndërsa lufta hyn në muajin e pestë, Perëndimi ende nuk ka furnizuar Ukrainën me sasinë e armëve të rënda të kërkuara prej saj.

%d bloggers like this: