BIRN DHE VOA INVESTIGOJNË/ KONCESIONI I LABORATORËVE/ KONTRATA KORRUPTIVE QË PO DËMTON SHËNDETIN E PACIENTËVE E GËRRYEN ARKËN E SHTETIT     

Në fund të muajit maj, në telefonët celularë të mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë mbërriti një urdhër me mesazh, përmes së cilit u kërkohej që të mos referonin analiza për pacientët e tyre, me përjashtim të rasteve tejet urgjente.

Prej muajsh, lajmërime të ngjashme nuk janë të rralla edhe për mjekët e familjes, shërbimet ambulatore apo disa prej spitaleve rajonale të vendit.

Presioni mbi sistemin shëndetësor vjen si pasojë e kontratës koncesionare të laboratorëve mjekësorë, e cila përcakton tavane mujore buxhetore për spitalet referuese. Nëse numri i analizave tejkalohet, kostot për buxhetin e shtetit rriten.

Shërbimi i laboratorëve mjekësorë është kontrata e katërt e partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë dhe parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 13 miliardë lekë ose 114 milionë dollarë në 10 vitet e operimit.

Kontrata u fitua nga konsorciumi “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Hagë të Holandës dhe po zbatohet prej vitit 2020 nga kompania koncesionare “Laboratory Networks”.

Procedurat e Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e këtij shërbimi me koncesion janë vënë në pikëpyetje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe po hetohen për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Ekspertët e shëndetit publik e kritikojnë këtë skemë të partneritetit publik privat me argumentin se po kufizon mundësinë e pacientëve për të bërë analiza.

Ministria e Shëndetësisë nuk komentoi hetimet e nisura nga SPAK dhe deklaroi se kishte zbatuar ligjin në çdo fazë të procedurës koncesionare.

Edhe kompania koncesionare, Laboratory Netëorks tha se kishte respektuar kërkesat ligjore dhe nuk kishte kryer asnjë veprim, që të mund të sillte si pasojë veprat penale që po hetohen nga SPAK.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e përfundoi auditin mbi koncesionin e laboratorëve mjekësorë në tetor të vitit 2021 dhe arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë atë në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”.

Për këtë procedurë, KLSH paditi në SPAK shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës.

Auditi i KLSH-së sjell në vëmendje faktin se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë injoruan shqetësimin e Koorporatës Ndërkombëtare të Investimeve, IFC, për integritetin e kompanisë së regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga konsorciumi, kjo kompani zotërohej nga “Pegasus”, një tjetër kompani shqiptare në pronësi të biznesmenit Janis Karathano.

KLSH vlerëson se AB Laboratory Solutions B.V u përdor si koracë për të mbuluar përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në konsorcium.

KLSH thekson gjithashtu se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë e kualifikuan këtë konsorcium në kundërshtim me dokumentet e procedurës konkurruese.

Laboratory Netëorks shprehu mosdakordësi me konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe theksoi se konsorciumi fitues kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar në përputhje dokumentet e garës.

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura lidhur me kufizimet periodike të testimeve, Ministria e Shëndetësisë pretendoi se garantonte shërbimin për pacientët.

Por ndryshe nga ky qëndrim, mjekë të sistemit parësor dhe drejtues të spitaleve rajonale i thanë BIRN se po aplikonin lista pritjeje dhe se në disa raste, kishin kërkuar rialokim të fondeve për të plotësuar nevojat e pacientëve.

%d bloggers like this: