Prishtinë, zhvillohet mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, Prishtinë, më 20 qershor 2022.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, Prishtinë, më 20 qershor 2022.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë duke u takuar të hënën për herën e tetë, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale ndërmjet dy shteteve.

Takimi këtë herë mbahet në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në nisje të​ takimit se marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, lehtësojnë jetën e qytetarëve.

“Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë dhe intensiv”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, në takime të tilla janë nënshkruar 127 marrëveshje kurse janë zbatuar 75 prej tyre.

Megjithatë, Kurti ka përmendur se ekziston nevoja e një harmonizimi e bashkërendimi më të mirë “të politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona, si në çështje rajonale e po ashtu edhe të politikës së jashtme”.

Në këtë mbledhje pritet të prezantohen: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përqenderuar më shumë te rritja e volumit të shkëmbimeve tregtare.

Ai ka thënë se në shtetin e Shqipërisë janë të regjistruara 1,225 biznese nga Kosova, dhe 1,081 prej tyre janë në pronësi të plotë të kosovarëve.

“Investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin nëntë milionë euro, kurse vitin e kaluar 139 milionë. Kjo shifër është domethënëse dhe mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme”, ka thënë mes tjerash Rama.

%d bloggers like this: