TESTIMET DHE PIKËZIMET/ ÇELA PËRZGJEDH 21 OFICERËT FITUES TË TIJ PËR 11 PROKURORI. EMRAT

Olsian Çela përzgjedh 32 oficerë të policisë gjyqësore, nga të cilët 21 do të jenë fitues, për të përmbushur kërkesat e prokurorive të rretheve. Janë 11 prokurori të shkallëve të para pranë gjykatave, të cilat kanë nevojë të plotësojnë me oficerë të policisë gjyqësore, sektorët përkatës.
Krahas kërkesës dhe dokumentacionit për edukimin dhe përvojën e tyre, së paku 5-vjeçare, kandidatët duhet të paraqisnin dhe dëshmi të gjuhëve të huaja dhe trainimeve të bëra. Njëherësh ata janë skanuar dhe për dënime apo akuza në ngarkim të tyre, qofshin këto edhe masa disiplinore në detyrat e mëparshme të kryera. Kanë qenë Burimet Njerëzore të Prokurorisë së përgjithshme, që kanë bërë seleksionimet e para dhe më pas kandidatët i janë nënshtruar një testimi profesional. Vlërësimi ka kaluar nëpër tre faza.
Faza e parë ka qenë vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës në punë e trainime të lidhura me fushën.
Faza e dytë, vlerësim me shkrim.
Faza e tretë, ka qenë intervista e strukturuar me gojë.
Ka qenë urdhri i prokurorit të përgjithshëm Olsian Çela, me 6 shkurt që ka përcaktuar nisjen e kërkesave dhe aplikimeve për të vijuar me vlerësimet e testimet, deri në përzgjedhjen e fituesve. Vetëm prokuroria e Tiranës, nuk është në listën e vendeve vakant për oficerë të policisë gjyqësore në këtë shpallje prej 21 vendesh, tashmë të përcaktuar. Nuk dihet nëse ka pasur kontestime nga garuesit dhe urdhëri i prokurorit nuk përcakton nëse apelimet e pretendimet do të shihen nga një strukturë e posaçme. Çela tashmë ka nisur të plotësojë ekipet e vartësve, por ndoshta dhe të formatojë disi më tepër ekipin e tij nëpër rrethe. Njëherësh në prokurori janë dhe 116 vende prokurorësh të paplotësuara, të cilët kanë shkaktuar një rënie të punës së saj nga mbingarkesa. Prokuroritë që kanë marrë tashmë oficerët fitues, janë ato të rretheve, konkretisht Vlorë, Korçë dhe Fier me nga 3 vende, Kukës, Sarandë, Berat e Gjirokastër nga dy vende dhe Pogradeci, Kurbini, Lezha e Lushnja nga një vend. Pak ditë më parë Çela u ankua në Këshillin e Lartë të prokurorisë, për kompetencat e pakta në ushtrimin e detyrës. Këtë here prokurori kërkoi që të kishte kontroll ndaj gjyqtarit paraprak, i cili vendos mbi punën e prokurorëve, duke pasur mbivendosje dhe dualizëm të punës, e qortuar në këtë mënyrë strukturimin e përcaktuar nga reforma në vitin 2016.

pdf (1)

%d bloggers like this: