SALI BERISHA RIKTHEHET NË KRYE TË PARTISË DEMOKRATIKE

Sali Berisha është kryetari i ri i Partisë Demokratike. Ai ka fituar në 108 qendrat e votimit në të gjithë vendin, përballë kandidatit tjetër në garë, Ibsen Elezi.

Berisha ka siguruar mbi 90% të votave në këtë garë. Në total kanë votuar 43.680 demokratë, 40.840 kanë votuar për Berishën. 2532 kanë votuar për Ibsen Elezin.

Kryetarja e Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Albana Vokshi ka dalë në një deklaratë nga selia blu, ku ka bërë me dije se nesër do të bëhet edhe shqyrtimi i dokumentacionit e të shpallet rezultati përfundimtar.

Ajo i ka quajtur këto zgjedhje procesin më transparent, gjë që shpjegoi edhe pjesëmarrjen e lartë të demokratëve.

“Kanë filluar të vijnë kutitë e votimit me materialet zgjedhore dhe në mbledhjen e nesërme do të bëhet edhe njëherë shqyrtimi i dokumentacionit dhe do të shpallet rezultati përfundimtar.

Është një nga proceset më transparente dhe të besueshme të kryer ndonjëherë qoftë për zgjedhjet në hierarkinë e degëve. Kjo ka shpjeguar edhe pjesëmarrjen e lartë të demokratëve. Është një arsye më shumë për t’i rikthyer besimin demokratëve. Ata dëshmuan me votën e tyre që partia i përket atyre”, tha Vokshi.

 

%d bloggers like this: