META PËRKUJTON 110-VJETORIN E KUVENDIT TË JUNIKUT: MOMENT VENDIMTAR NË HISTORINË TONË KOMBËTARE

Presidenti Ilir Meta ndodhet në Kosovë me rastin e 110-vjetorit të Kuvendit të Junikut.

Krah presientes Vjosa Osmani, Meta tha se Kuvendi i Junikut paraqiti platformën e pastër politike dhe ushtarake kombëtare për çlirim.

Meta shtoi se “pas 110 vjetësh, ne kemi shumë arsye jo vetëm të forcojmë kujtesën tonë historike, por t’u jemi mirënjohës atyre patriotëve të jashtëzakonshëm që në kohë shumë të vështira treguan largpamësi dhe i dhanë dritë, një projekti mjaft të rëndësishëm kombëtar.”

Fjala e presidentit:

“Çdo shqiptar, kur përmendet Kuvendi i Junikut krenohet, me veprën e madhe dhe të lavdishme të atyre burrave të kombit tonë, të cilët para 110 vjetësh lëshuan kushtrimin këtu në Junik për liri dhe pavarësi nga zgjedha shumëshekullore osmane si dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga fqinjët grabitqarë.

Para 110 vjetësh, Juniku u bë logu i Kuvendit për250 burra trima të pendës dhe të pushkës, me në krye Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe Bajram Currin si dhe shumë patriotë të tjerë, ku për katër ditë dhe net u diskutua për bashkimin dhe fillimin e një kryengritjeje të përbashkët në Kosovë dhe në mbarë veriun e Shqipërisë për lirinë dhe pavarësinë e trojeve kombëtare.

Në atë kuvend, në një moment vendimtar të historisë sonë kombëtare, foli besa për çlirimin e trojeve kombëtare nga zgjedhja 500-vjeçare osmane.

Kuvendi i Junikut paraqiti platformën e pastër politike dhe ushtarake kombëtare për çlirim.

Sot, pas 110 vjetësh, ne kemi shumë arsye jo vetëm të forcojmë kujtesën tonë historike, por t’u jemi mirënjohës atyre patriotëve të jashtëzakonshëm që në kohë shumë të vështira treguan largpamësi dhe i dhanë dritë, një projekti mjaft të rëndësishëm kombëtar.

Ne sot i gëzohemi Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, e cila pret të hedhë një hap më tej drejt anëtarësimit në BE, por ne i gëzohemi më së shumti edhe të sakrifikuarës së madhe 110 dhjetë vjet më parë, Kosovës, e cila sot është një shtet i lirë dhe i pavarur, një vend model sa i takon demokracisë, zgjedhjeve, të drejtave të njeriut dhe respektimit të të drejtave të pakicave në mbarë kontinentin.

Po kështu, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi janë kontribues kryesorë për orientimin euroatlanik dhe demokratik të këtyre vendeve ndërkohë që vëllezërit tanë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc po luftojnë për t’i bërë realitet të drejtat e tyre dhe pse me shumë vështirësi e pengesa, të drejta legjitime që duhet t’i përkrahim.”

 

%d bloggers like this: