Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky tha se Rusia ka nisur ofensivën e gjerë në rajonin e Donbasit.
Mediat ukrainase raportuan mëngjesin e së martës për bombardime të fuqishme në rajonin Donjeck.
“Ne mund të konfirmojmë tani se trupat ruse kanë nisur betejën për Donbasin, të cilën e kanë përgatitur për kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e ushtrisë ruse tani është e përfshirë në këtë ofensivë”, tha Zelensky në llogarinë e tij në Telegram.
“Nuk ka rëndësi sa trupa ruse janë dërguar atje, ne do të luftojmë. Ne do të mbrojmë veten dhe do ta bëjmë këtë çdo ditë”, ka shtuar ai.
Zelensky ka falënderuar mbrojtësit ukrainas, të gjitha qytetet e Donbasit, përfshirë Mariupolin, por edhe qytetet në rajonin e Harkivit, të cilat “mbrojnë fatin e gjithë shtetit”, sic ësjtë shprehur ai
Zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë thënë më herët se Rusia duket se ka nisur ofensivë të re, pas një serie të sulmeve me raketa në infrastrukturë ushtarake në qytetin perëndimor të Lvivit, si pasojë e të cilave kanë vdekur të paktën shtatë njerëz.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raporton se ka parë “shenja të një ofensive të re në rajonin lindor” dhe në fokus duket se janë rajonet e Harkivit dhe Donjeckut.
Guvernatori i Luhanskut, ka raportuar po ashtu për ofensivën.
“Ne humbëm kontrollin e qytetit Kremina. Ka luftime kudo në rrugë”, ka thënë ai, duke përmendur se evakuimet nuk janë më të mundshme.
“Çdo orë situata po përkeqësohet”, bën të art ai.
Ndërkaq Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se forcat e saj kanë goditur 1,260 shënjestra në Ukrainë gjatë natës dhe kanë rrëzuar një aeroplan luftarak MiG-29 të forcave ukrainase në rajonin Donjeck, pretendime që nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Rusia ka thënë se përmes sulmeve në Lviv, ka shkatërruar një depo të madhe me armë të huaja, që janë dërguar së fundi në Ukrainë.
Aeroplanët rusë kanë goditur qendrën ukrainase të logjistikës “ku ka pasur armë të huaja, të dërguara në Ukrainë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane në gjashtë ditët e fundit” dhe “i kanë shkatërruar ato”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.
Ai ka thënë se municioni është shkatërruar edhe në rajonin e Kievit.
Zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk that ë martën se nuk është arritur pajtueshmëri për hapje të korridoreve humanitare me Rusinë, për të tretën ditë me radhë, duke lënë të bllokuar mijëra njerëz në qytetin e Mariupolit.
Vazhdimi i rrethimit të Mariupolit në juglindje të Ukrainës ka rezultuar me viktima të konsiderueshme civile dhe shkatërrim të një pjese të madhe të infrastrukturës.
Ukraina ka akuzuar Rusinë se është duke zbatuar taktikat e luftërave sikurse në Çeçeni dhe Siri, pavarësisht pretendimeve të Moskës në nisje të pushtimit se “Rusia nuk do të godasë qytete dhe as nuk do të kërcënojë popullsinë ukrainase”.
Vlerësohet se 100,000 njerëz kanë mbetur brenda qytetit, pa ushqim, ujë, ngrohje apo rrymë, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
Para luftës, Mariupoli ka pasur 450,000 banorë.
Sakaq Shtëpia e Bardhë ka thënë më 18 prill se presidenti amerikan, Joe Biden nuk ka plane për të vizituar Kievin.
Zelensky i ka bërë thirrje Bidenit që të demonstrojë mbështetjen amerikane në luftimet kundër Rusisë, duke udhëtuar drejt kryeqytetit ukrainas, mirëpo zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se nuk ka plane që presidenti amerikan të shkojë atje. Zelensky ka thënë më 17 prill se ai mendon që Biden do të bëjë një vizitë të tillë, mirëpo ka thënë se vendimi i përket presidentit amerikan dhe do të varet nga situata e sigurisë.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se në vend të Bidenit, ka shumë mundësi që Kievin ta vizitojnë zyrtarë të lartë amerikanë, sikurse Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken apo Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se do të kthehet në Kiev, por tashmë për të sjellë diçka të dobishme.