Nëse Basha nuk i ka humbur zgjedhjet, i ka shitur !

Shpërfytyrimi elektoral i PD të dielën e 6 marsit, ka pasuar me reagime anormale, qorrazi të Lulzim Bashës, duke dëshmuar marrëdhënien me karrigen e kryetarit në detyrë, si atë të një prone private, të cilën nuk e lëshon për asnjë arsye në planet, pa u bërë kiameti. Partia Demokratike është duke e thelluar krizën pas zgjedhjeve të ditës së dielë, ku Basha, rriti statistikat e tij të humbjes, duke shënuar rekordin e 6-të zgjedhor me rezultat negativ. Me një inventar tenistik në krye të demokratëve, zero fitore, deputeti në krye të selisë, lajmëron sloganin demode, se beteja sapo ka filluar dhe unë nuk kam humbur asnjë garë. “Në emër të atit, të birit e të shpirtit të shenjtë”, të kujtohet formula e pagëzimit menjëherë, kur do të ngushëllosh një mendim të dalë nga hiçi. Kjo është një fyerje inteligjence e dhunshme ndaj të djathtëve, gjithnjë nëse është pretendim serioz. Por nëse lexojmë nënvetëdijen e deklarimit, ka gjasa të ketë thënë të vërtetën, pasi ia nuk ka humbur. Fitoret e tij prodhojnë dobi në një adresë që duhet hulumtuar, si qasje ekonomike ndoshta. Arsyet bajate “na i vodhën” nuk duhet të jenë më kurrsesi një justifikim pas dhjetë vitesh përballje elektorale e asnjë fitore. Nëse nuk je në gjendje të ruash, atëherë nuk do të mundesh asnjëherë të ndalosh hajdutin zgjedhor dhe përfundimet janë qartësisht të njohura. Atëherë demokratët nuk kanë asnjë arsye, interes apo motivim, të vijnë pas një rojtari politik me aftësi zero për të mbrojtur ata dhe punën e përbashkët. Në rezultatin e brendshëm në gjashtë bashki, kandidatët e zgjedhur nga Basha dhe ata të Komisionit të Rithemelimit nëpërmjet primareve, kanë një diferencë të madhe. Janë tre herë më pak garuesit me siglën e PD. Kjo katastrofë votash, shkundi edhe deputetët mbështetës të Bashës, të cilët shpresonin se mund të kishte shanse për rezultate optimiste. Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i Partisë Demokratike dorëhiqet. Grida Duma nënkryetare kërkon publikisht dhe në mbledhje dorëheqjen e kryetarit. 15 deputetë të tjerë brenda dy ditësh kanë kërkuar të njëjtën gjë, largimin e Lulzim Bashës. Ka prej tyre që thonë se duhet larguar edhe Berisha, ai që ata e kanë larguar para disa muajsh, një kërkesë disi e thënë për të bërë gajret, më tepër se realitet. Tani Basha, përveç humbjes së referendumit electoral në masë dërrmuese të zgjedhësve ka humbur dhe mbështetjen e deputetëve, duke pasur një numër minimal ende që nuk kanë kërkuar dorëheqjen e tij. Për të arnuar opinionin, Basha mblodhi të emëruarit e administratës së tij dhe disa prej tendërfituesve, të cilëve u kishte vënë deklarata të sheqerosura në gojë, se ata duan të bëhen gati për betejën e radhës.

Për cilën betejë?

Me cilën ushtri elektorale?

…sepse ajo nuk është nën drejtimin e tyre, e ka braktisur edhe zyrtarisht nga 6 marsi, Bashën dhe të tijtë. Ata kanë folur nëpërmjet votës së deputetëve, se mandati i tyre ka rënë. Ata nuk i kanë më votat e demokratëve, janë kundër tyre dhe në mbarim të kohës, nuk do të kenë asnjë mundësi të mbështeten prej tyre. Luhatjen e gjatë, duke përdorur presione diplomatike, nuk janë duke e ngrënë më as parlamentarët, që deri më tani, kanë ndenjur disi neutral. Përralla e lëshuar nga selia, se kush nuk mbështet Bashën, do të ketë probleme me Amrikën, është një gjëegjëzë, sikur shqiptarët që mendojnë ndryshe nga Lulzim Basha, do na u trajtokan sikur të ishin Putini. Tallava leksikore me efekt mendor për prodhuesit. A kanë interesa biznesi tenderash një rreth rural dhe qendror afër Bashës, të cilët me një profil politik zarzavatesh hidhen përpjetë se do pëlcasin në zjarr për të bërë beteja të tjera me kryetarin Basha, i cili duhet të luftohë për humbjen e radhës? A ka prej tyre dhe me meraqe dosjesh, ku këtu është pjesë edhe Basha si vizitor i shpeshtë i prokurorisë , ende me hesape të hapura, të cilët janë në trysni dhe përdorin mandatet e për të ndenjurat e tyre e jo për hallet e demokratëve?

Sigurisht po! Janë me emra. Asnjëri prej tyre nuk është anonim. Janë duke blerë rracione lirie me pengmarrjen kolektive, duke shërbyer kundër interesave të demokratëve bashkërisht këta qëndrestarë të humbjeve. Partia Demokratike, është e demokratëve dhe ajo ka nevojë thjesht për një palë zgjedhje, të cilat e bashkojnë atë. Kutia e votimit duhet të prodhojë, zgjedhë kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Të gjitha përpjekjet e tjera, jashtë zgjedhjeve mes demokratëve, jashtë kutisë së votimit, janë përpjekje interesash financiare. Janë interesa tenderash dhe biznesi dhe jo interesa politike për të mundur Edi Ramën. Nëse janë të varur nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, atëherë duhet të thonë se nuk janë përfaqësues të demokratëv dhe të vetëlënë mandatet e jo të fryhen para kamerave si të martirizuar e të pikëlluar. Ata që tremben nga vota dhe nuk heqin dorë nga postet pas dështimeve, kanë vënë dorën në mjaltin e përfitimeve dhe mbajnë peng gjithë partinë. Të punësuarit e interesave nën firmën e pushtetti, duhet të kthjellohen me emergjencë. Nëse Basha, edhe këto zgjedhje nuk i ka humbur, është duke na thënë se i ka shitur, ndaj dekonspiron vetveten se nuk ka humbur. Ai di të fitojë. së paku për vete…!

%d bloggers like this: