I gjithë territori i vendit u përfshi nga një ulje e ndjeshme e temperaturave, shoqëruar edhe me reshje bore e shiu.
Sipas informacioneve të marra nga prefekturat, bashkitë dhe ARRSH reshjet kanë pushuar. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se
është e bllokuar rruga Peshkopi-Lurë, por lëvizet në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos me zinxhirë dhe se në rrugën e “Arbërit” lëvizet me zinxhirë, çka deputetë të opozitës e përgënjeshtruan përmes pamjeve që tregonin policinë duke mos lejuar qarkullimin në aksin e hapur vetëm dy muaj më parë.
Në njësitë Kala e Dodës, Reç, Lurë, Selishtë të bashkisë Dibër si dhe në fidrin 6, njësia administrative Lunik, bashkia Librazhd, mungon energjia elektrike.
Meteorologët parashikojnë rënie të mëtejshme të temperaturave nën zero, ndaj Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat e thella malore, të bëjnë kujdes, të ndjekin këshillat e bëra publike nga Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast nevoje.