Qeveria e Kosovës miratoi sot pagesën e rradhës shtesë prej 10% të pagës bazë për punonjësit në sektorin e shëndetësisë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, u tha se kjo pagesë do të bëhet për periudhën janar-qershor 2022, ndërsa ndarja e shtesave për punonjësit në sektorin e shëndetësisë kishte nisur që vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes tha se vendi po përballet me një valë të shkaktuar nga varianti Omicron i koronavirusit. Sipas tij, kjo rritje e shpejtë e rasteve rrit numrin e spitalizimeve dhe ngarkesën mbi sistemin shëndetësor e mund të rezultojë në më shumë vdekje.
Në Kosovë më 22 janar kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, ku parashihet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Vlen të theksohet fakti se Qeveria e Kosovës ka shpërblyer në mënyrë të vazhdueshme në disa faza të periudhës së pandemisë personelin shëndetësor, jo vetëm atë të vijës së parë të përballjes me rrezikun.