PUTIN – ERDOGAN ZOTOHEN PËR THELLIM TË RAPORTEVE

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan janë zotuar se do të thellojnë raportet, teksa dy liderët kanë zhvilluar një bisedë telefonike.

Putin dhe Erdogan “biseduan për bashkëpunimin dypalësh dhe riafirmuan vendosmërinë e tyre që të vazhdojnë të rrisin partneritetin ndërmjet Rusisë dhe Turqisë”, tha Kremlini më 2 janar.

“Dy palët biseduan për çështjet globale, përfshirë edhe propozimet e fundit lidhur me krijimin e marrëveshjeve ligjërisht të obligueshme që do t’i garantonin Rusisë siguri. Po ashtu, ata biseduan për situatën në Kaukazin Jugor dhe për përpjekjet për të zgjidhur krizat libiane dhe siriane”, u tha në deklaratë.

Ndërkaq, Turqia tha se biseda ndërmjet Erdoganit dhe Putinit u fokusua në hapat për përmirësimin e raporteve.

“Kaukazi, Siria, Libia dhe zhvillimet e tjera rajonale dhe ndërkombëtare u diskutuan në këtë takim, ku u ripërsërit vendosmëria për të avancuar bashkëpunimin Turqi-Rusi në të gjitha fushat”, tha Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.

Kjo bisedë vjen në kohën kur Turqia ka zemëruar Rusinë për shkak se ka furnizuar me armë Ukrainën, përfshirë edhe me dronë që u përdorën për herë të parë në muajin tetor kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Turqia ka marrëdhënie të mira edhe me Kievin dhe me Moskën, por ka kritikuar Moskën për aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe ka shprehur mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, gjë që ka rritur shqetësimet se Moska po përgatitet për një pushtim të mundshëm të Kievit, teksa Kremlini po kërkon garanci të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

Në veçanti, Moska dëshiron që NATO të mos e anëtarësojë Ukrainën dhe shtetet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të tërheqë dislokimet ushtarake që ka në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Rusia dhe Turqia po ashtu bashkëpunojnë në përpjekjet diplomatike për të sjellë stabilitet në Kaukazin Jugor, pas fitores së Azerbajxhanit kundrejt forcave të Armenisë në vitin 2020, në luftën për rajonin e Nagorno Karabakhut.

Në janar, të dërguarit e posaçëm të Turqisë dhe Armenisë pritet të takohen në Moskë për të nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, si pjesë e një përpjekje më të gjerë të Moskës për ndërmjetësimin e paqes në rajon, ku përfshihet Armenia dhe Azerbajxhani.

Në Siri dhe Libi, Rusia dhe Turqia mbështesin palë të kundërta, por kanë bashkëpunuar në përpjekje për të ulur tensionet.(rel)

 

%d bloggers like this: