Pandemia imponon tolerancë/ Greqia, shtyn afatin e lejeqendrimeve për emigrantët, përfitojnë kryesisht shumë shqiptarë

Ministria e Emigracionit në Greqi ka shtyrë deri më 22 mars të vitit 2022 vlefshmërinë e lejeve të qëndrimit dhe vërtetimeve për rinovim që njihet ndryshe si karta blu, për emigrantëët e huaj, të cilat skadonin më 31 dhjetor të vitit që lam pas.

Në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë emigrantët shqiptarë kanë mundur të lëvizin ditët e para të vitit të ri me këto dokumente pa ju krijuar probleme në anën greke, thanë për Zërin e Amerikës burimet kufitare shqiptare.

Sipas vendimit të publikuar nga Ministria greke e Emigracionit, shtyrja me tre muaj e afatit, vlen vetëm për lejet dhe kartat blu, me datë skadimi 31 Dhjetorin 2021.

Ministria greke e Emigracionit ka saktësuar se aplikimet për përtëritjen e këtyre lejeve të qëndrimit bëhën vetëm në mënyrë elektronike.

Vendimi i autoriteteteve greke ndihmon sidomos emigrantët shqiptarë që janë në procesin e riptëritjes së lejeve të qëndrimit, të cilave u ka përfunduar afati dhe të cilat, edhe për shkak të vështirësive të periudhës së pandemisë, nuk kishin arritur t’i ripërtërinin.

Proçesi i Lejeve të Qëndrimit në Greqi, të emigrantëve shqiptarë, që përbëjnë pjesën dërrmuese të të huajve, është vështirësuar, sidomos dy vitet e fundit nga Pandemia e Koronavirusit.

Qytetarët shqiptarë kanë pasur vështirësi si në plotësimin e dokumentacionit, edhe në marrjen e dokumenteve që u nevojiten në Shqipëri për këtë process, për shkak të bllokimeve apo lëvizjes së reduktuar në kufirin shqiptaro-grek.

 

%d bloggers like this: