Nga Basir Çollaku/ Politikanë te padashur, në një kuplara nuk ka të virgjër

Politikanë te padashur, në një kuplara nuk ka të virgjër
Politika në kohët e sotme, ka thelluar dominimin e pushteteve, duke u kthyer në një biznes tmerrësisht fitimprurës marramendës, tërësisht për vetveten, si një shkërmoqëse për qytetarët, ekonomitë e tyre, mundësitë e tyre.
Nisi me asgjësimin e shtresës së mesme.
Pas kësaj. !!!??
Rrethi përfituesve është ngushtuar rreth Njëshit ekzekutiv, dhe pakësuar gjithnje e më tepër në numra. Kjo ka krijuar ankandin e dorëzimeve të kundërshtarëve, rrethimin, përpunimin e opinionit publik, me një ushqim pulash.
Politika në Shqipëri, në 95 përqind të rasteve është parë si mundësi e shëndoshjes financiare, duke përdorur mandatin. Në mazhorancë dhe opozitë ngjashëm.
Si po ndodh ndër ne.??
Nga akademikë, profesionistë elitarë, përfaqësimi në Kuvend u zhvendos. Me moton pushtet me çdo kusht, në sallën e Parlamentit nisën dyndjet e para zaptuese të forcë së parasë, policisë, ushtrisë, botës së krimit.
Biznesmenë hynë për të mbrojtur sipërmarrjet e tyre, përfituar nga ekonomia publike, për të qenë aktorë kontrollues në treg, për të qenë ushqyes financash për partinë. Politikanët bënë marrëveshjet e leverdisë së tyre, duke shitur karrike të sigurta deputetësh, me aksione në bizneset bashkë.
E nisën me pagesat për të marrë vende fituese sigurie në lista. Pastaj orteku i mori me vete. Kishte të tjerë jo pak që përdorën mandatet dhe u benë shpejt biznesmenë.
Të tjerë bënë lojtarë ndërmjetës elektoralë, prodhuan kartona për Parlamentin dhe pastaj ortakëria u la dorë në trafiqe, tendera e koncensione.
Dallimi mes të bardhës, grisë, të zezës u fik. Edi Rama u bë i pakonkurueshëm sepse nga burgjet në Parlament të fortët zgjodhën të bëjnë para së bashku.
Shumica e ndërkombetarëve u trodh dhe u shqepos në dollarë dhe euro dhe mjaltosën raportet si servilë përfitimesh dhe aspak dinjitozë. Tek e fundit ata një mandat kishin dhe zhdukeshin gjetiu. Banditët u bënë zotër të ortakëve në zyra publike. Dreqi mori dhenë.
Opozita
Ky eshte makthi i ri
Për të blerë heshtjen shumë të akuzuar të pushtetit dhe krimit, ia dolën të fusin në kurthin e pushtetit deputetë dhe faktorë opozitarë. Jo pak denoncime të rënda fikeshin në seancat e dyta apo të treta të kallzimeve. Kjo, përjashtuar rastet kur pjesë hetimi ishin Partnerët e huaj, amerikanë dhe evropianë. Përballja u bë e egër. Edi Rama ka mjeshtëruar dominimin, blerjen, shpartallimin. Ai di të përdorë mekanizmin se çfo gjë ka një çmim. Mercenarizimi u be modë.
Disa i bën pjesë tenderash, koncesionesh, toleron dosjet e disa të tjerëve ne zgripe penale dhe ne na ngjan se një pjesë e madhe e opozitës vjen unazës bosh, si autobuz pa pasagjerë.
Bashkia e Tiranes, ministritë, i dendën sikletosësit opozitarë me leje ndërtimi e biznese të dobishme si ortake, një pjesë tjetër, me asete ku ata i kërkonin qoftë edhe paligjshmërisht.
Nervi opozitar nga anemik, fashitet me retorikë budallaqe. Media eshte pleherosur tej imagjinate. Një dosje si ajo e inceneratorëve tregoi thesin e mbetjeve ku mediet ishin zhytur bashkë me shumë politikanë gjithëkrahesh. Tatimet, dogana, policia, agjenci të shumta ligjzbatuese, të gjitha janë në rresht të joshin ose godasin sipas llogarisë së pushtetit të KM e vartësve të tij. Tani Ramës nuk i duhen zgjedhësit e tij, ai i zëvëndeson sa herë do me kundërshtaret e tij politikë. Heshtja, ose kritika e wëruar nga halli, janë mallrat që shiten e blihen më fort. Dosjet rrinë e lëkunden për interesa mandatesh. Bizneset e të pabindurve goditen agresivisht, ndërsa ato të të bindurve çelin majmëri. Kur pastrohen miliarda euro në ndertim MAFIA bëhet xheloze me politikën për garën e grykësise së saj. Ka sot grupe politike e pushteti mazhorancë dhe opozitë që peshojnë e jo numërojnë paratë. Vajtimet e disa deputetëve per virgjërine e nderit, pasi kanë dalë nga një kuplara, janë zukatje për mospërfilljen dhe dikush ua gjen pinin për punë ditësh.
E shkuara eshte bere e tashme dhe e ardhme njëkohësisht.
Kokërënë në pusetën e parave sherri bëhet për miliardat askund për parimet.
Qytetarët vrapojnë më shumë drejt emigracionit se sa revoltës, në mungesë turpeëuese të ndëshkimeve igjore, në mungesë ulëritese të dhënies së drejtësisë.
Ndryshimi vjen shpesh nga perballja. Por nëse ke në krah ushtrinë e pisët të Ramës në Parlament medie, sistemin e klonuar të drejtësisë, pushtetin lokal, rrethin diplomatik, atëherë po bën qejf në një mutsihane të kontrolluar…
Kjo dreqërisht nuk quhet opozitarizëm por portofolizëm…
Sepse Politika, si zanati i dytë më i vjetër në botë, ngjashëm me të parin, e di mjaft hollë dhe mirë, se në një bordello nuk ka te virgjër…
%d bloggers like this: