“KUSH KAPET ME ARMË DIHET QË ËSHTË SHQIPTAR”/ KOMUNITETI SHQIPTAR I SELANIKUT LETËR PROTESTË NDAJ MEDIAS QË NXIT RACIZMIN

“Kush kapet me armë dihet që është shqiptar”. Kjo ishte deklarata raciste që ka bërë “live” pak ditë më parë në ekranin e televizionit grek MEGA, një prej gazetarëve më të njohur grek, Nikos Evangjelatos.

Duke folur për një ngjarje, në të cilën një shqiptar ishte kapur me armë zjarri në shtetin fqinj, Greqinë, gazetari e përshkroi atë si një gjë krejt të zakonshme për një shqiptar.

Pavarësisht se ai u mundua ta “justifikonte” duke përdorur argumentin se nuk ishte një koment nacionalist, i ka zemëruar shumë ndjekësit.

Ai ka marrë një “lumë” kritikash, ku e quanin racist, ndërsa të tjerë kanë mbetur “pa fjalë” që një incident i tillë ndodh ende në vitin 2022 në televizion.

Ditën e sotme ka reaguar nëpërmjet një letre të hapur publike edhe komuniteti shqiptar në Selanik.

 

Letra e plotë:

 

KOMUNITETI SHQIPTAR I SELANIKUT

LETËR PROTESTE

Drejtuar

Stacionit televiziv MEGA

Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit të Greqisë

Unionit të Gazetarëve të Athinës

Këshilli Drejtues i Komunitetit Shqiptar të Selanikut proteston ashpër kundër komentit fyes dhe racist të gazetarit z. Nikolaos Evangjelatos.

Konkretisht, më 10 janar 2022, në emisionin e televizionit MEGA, z. Evangjelatos komentoi arrestimin e një shtetasi që mbante armë me vete, dhe që rastësisht ishte me origjinë shqiptare, me shprehjen: “Eh, do thoni, e çfarë do ishte mëse e zakonshme?”, duke lënë të kuptohet se shqiptarët me banim në Greqi janë posedues armësh.

Kjo frazë e gazetarit bëri shumë përshtypje negative tek teleshikuesit grekë, shumë prej të cilëve reaguan ashpër ndaj shprehjes së tij raciste.

Ky formulim me kritere fenotipike dhe raciste ndaj një komuniteti të tërë, stigmatizon dhe fyen hapur jo vetëm mijra familje me origjinë nga Shqipëria të cilat me kaq përpjekje dhe mundim jetojnë, punojnë dhe shkollohen prej 30 vitesh në Greqi, por njëkohësisht përçan dhe ofendon popullin grek i cili ka përqafuar në gjirin e tij këtë komunitet të madh, në një mënyrë që përbën model dhe shembull  të humanizmit.

Neve nuk na interesojnë pikëpamjet shoqërore apo kulturore të z. Evangjelatos, por jemi të prekur nga krijimi prej tij i stereotipit racist dhe promovimi i tij përmes stacionit televiziv MEGA, duke ulur nivelin e misionit të gazetarit dhe duke frymëzuar paragjykime raciste që helmojnë ndjenjat demokratike të shoqërisë greke.

Kjo retorikë urrejtjeje, që çon në nxitje raciste kundër Komunitetit Shqiptar të Greqisë, është e papranueshme moralisht dhe e dënueshme penalisht nga legjislacioni aktual.

Këshilli Drejtues i Komunitetit Shqiptar të Selanikut proteston ashpër dhe kërkon sensibilizimin dhe reagimin tuaj të menjëhershëm ndaj deklaratave të papranueshme të z. Nikolaos Evangjelatos.

Me respekt

Për Këshillin Drejtues të Komunitetit Shqiptar të Selanikut

Kryetari

Dr. Luan ZYKA-

%d bloggers like this: