Ministrat e Bashkimit Evropian, gjatë takimit të mbajtur ditën e djeshme, pranuan propozimin e Komisionit Evropian për të bërë ndryshime në kriteret për përdorimin e certifikatës COVID-19 për udhëtim brenda bllokut evropian.
Sipas BE-së tanimë do të merret parasysh gjendja shëndetësore e personit, të dhënat për vaksinim apo shërimi nga virusi. Certifikata do të vlejë nëntë muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës, ndërsa për personat që janë të vaksinuar me dozën përforcuese, vlefshmëria e certifikatës do të jetë e pakufizuar. E vlefshme do të jetë edhe certifikata që dëshmon se bartësi e ka kaluar virusin jo më vonë se para gjashtë muajve nga lëshimi i saj.
BE-ja shton se këto janë vetëm rekomandime pasi secili shtet anëtar do të vendosë vetë për zbatimin e tyre në shtetin përkatës, por shpreson që anëtarët do të zbatojnë këto rekomandime me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.