Nga Basir Çollaku/ Ndërkombëtarët urë në këmbët e Ramës, për një copë mandat

Nën pushtetin e Edi Ramës në Tiranë, kanë gjetur rehati, privilegje, përfitime, joshje, qoka, jo vetëm klientë, sipërmarrës, biznesmenë, grupe keqbërësish, spiunë rajoni e më tutje, pastrues parash, tenderxhinj, por edhe ndërkombëtarë ambasadorë, vëzhgues, komisionerë, raporterë, këshilltarë, misionarë. Ndërkombëtarët kanë gjetur ‘parajsën e re’ në Shqipëri. Ishulli Rama ku gjen gjithçka mjafton të sillesh sipas oreksit dhe shijeve të Edi Ramës apo vali Veliajt.

Të gjithë të lumtur. Mandatet freskohen e rifreskohen, mjaftojnë raportet e shkresat, këshillat, vendimet e të huajve, të jenë tekste të noterizuara nga kryeministri, më herët se të bëhen publike. Kujtojmë së afërmi ish-ambasadoren e delegacionit të BE, Romana Vlahutin u bë objekt hetimi për afera korrupsioni, njëlloj si paraardhësi saj italian Ettore Sequi. Reforma në drejtësi solli në qendër sërish ndërkombëtarët, e falë kontributit të tyre, drejtësia sot është në një kolaps, ku do të duhet së paku një dekadë ta sjellësh në nivelin zero, e më vonë të përpiqesh të përparosh diçka.

Në tetë vite sipas raportimeve të Kontrollit të lartë të shtetit qeverisja ka abuzuar një shumë marramendëse rreth 8 miliardë euro. Qeveria jonë, ka investuar në duar biznesesh klienteliste qindra milionë euro dhe nuk mundi të adresojë ca milionë taksa për Reformën në Drejtësi, por ia kaloi këtë tagër Fondacionit Shoqëria e Hapur, Soros, që draftoi reformën dhe pagoi ekspertët e çdo niveli. Pagesë, interesat e së cilës janë zbuluar vit pas viti, ku njerëzit e lidhur me fondacionin u bënë dhe drejtues të institucioneve të reja, duke privatizuar sistemin për llogari të paguesit dhe mëkëmbësit Edi Rama.

Ndërkombëtarët

Të gjithë në rradhë te dera e Edi Ramës. Të gjithë kërkojnë zgjatje mandatesh. Duan të qëndrojnë në qoshet e rehatisë dhe pushteteve, ndonëse puna e prodhuar prej tyre, nuk ka lidhje me sukseset, por me kontrollin. Euralius, OPDAT, OMN, të gjithë me dorë shtrirë nga kryeminstri, dhe misioni asistencës OPDAT pranë prokurorisë kërkon zgjatim kohor për të vijuar bashkëpunimin e këshillimin. Ndërsa, ekipi monitorimit të reformës, ONM, trupa e kontestuar shumë herë, për të cilën nuk u kujdes askush të shohë parametrat profesionalë. Nuk kishte ndonjë vlerë ky tregues kur trupa e rivlerësimit Komisioni i pavarur i kualifikimit në pjesën dërrmuese ishte shumë më e pakualifikuar se prokurorë e gjyqtarë të cilët morën vendime. Rast unik mbetemi dhe në faktin se komisioni heton dhe gjykon, procese të pandara të cilat shërbejnë për ta kontrolluar dhe jo pavarësuar vendimmarrjen. Tashmë kemi dalë tej parashikimeve kushtetuese dhe ndonëse Kushtetuta ka përcaktime të qarta se si vijon procesi të gjithë ndërkombëtarët janë në këmbë pranë derës së Edi Ramës dhe kërkojnë të qëndrojnë.

Përseja është kollaj të merret vesh. Për ta veshur me dakortësi u përdor kotësisht Komisioni i Venezzias ku politika shqiptare dërgon për dijeni dhe opinion dhe parashikimin e motit. Pyetën krejt pa vend Komisionin, a të shkelim Kushtetutën, dhe morën mendim pozitiv, një tregues së nuk e vret kush për ligjin as matanë Adriatikut, por kemi një marrëveshje politikanësh

Në vitin 2017 “juristët e artë” mbërritur në Shqipëri si ONM ishin, Theo Jacobs, nga Gjykata e Apelit në Bruksel, Ferdinando Buatier de Mongeot një gjykatës për hetimet paraprake në Gjykatën e Komos në Itali, Elka Ermenkova, ish gjykatëse në Gjykatën e Lartë të Kosovës, Branko Hrvatin, ish kryegjykatës në Kroaci, Hans Kijlstra, gjykatës në Amsterdam, John S. Leonardo, ish prokuror Arizonës, Mia Roessingh-Bakels, ish gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Arnhem, Marie Tuma, ish gjykatëse në EULEX në Kosovë. Gjithashtu ky ekip ka pasur dhe skandalin e shefes së operacionit, Genoveva Ruiz Calavera e shkarkuar nga posti i saj nga Komisioni Europian. Të gjithë ndërkombëtarët e këtij organizmi, por kryesisht Jacobs, Kijlstra, Calavera, janë përfolur për qëndrime të thekura qeveritare, duke kapërcyer kompetenca. Kujtojmë reagimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që tërhiqtë vëmendjen Jacobsit, i cili nisi të marrë pjesë në seanca gjyqësore tej tagrit të detyrës, apo ankesën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për trysninë dhe presionin e ushtruar prej tij për të marrë vendime sipas qëndrimit të tij ndonëse dosjet kishin tërësisht përmbajtje tjetër. Ndërkombëtarët shumica e tyre, janë bërë si antarë të Partisë Socialiste dhe marrin porosi prej shefit të saj. Ndaj dhe zgjatjet e mandateve i duan për hatër të shërbimit të dedikuar ndaj partisë, deri diku edhe motivim portofoli financiar dhe emocional. Sektor të cilin nuk e kanë lënë asnjëherë mënjanë.

%d bloggers like this: