Ministri hungarez: Mosfillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut cenon kredibilitetin e BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto, ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, gjatë së cilës u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të vendit, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Osmani dhe Szijjarto zhvilluan një takim në Ministrinë e Jashtme, pas çka vijoi takimi i delegacioneve të dy vendeve.

Pas këtij takimi, Osmani dhe Szijjarto mbajtën konferencë të përbashkët për media.

Ministri Osmani, duke theksuar se janë të vetëdijshëm se vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian merren me konsensus tha se “më pak qytetarë të vendeve tona e kuptojnë se si dhe me çfarë argumentesh shfrytëzohet ky privilegj nga vende anëtare”.

“Është e padiskutueshme që besimi në procesin e zgjerimit është në nivelin më të ulët, gjë që kërcënon besueshmërinë e të gjithë Unionit dhe krijon kriza të reja në të gjithë rajonin. Por, obligimi ynë nuk është që dështimet t’i shohim me zhgënjim, por t’i ndjekim sfidat dhe të ofrojmë zgjidhje”, tha Osmani.

Duke theksuar se mbeten të përkushtuar në procesin integrues në Bashkimin Evropian, Osmani tha se vazhdojnë të punojnë me fqinjët dhe në pjesën e reformave me ritëm të pandërprerë.

Në konferencën e përbashkët për media, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Szijjarto deklaroi se mosfillimi i negociatave është hap i pandershëm i Bashkimit Evropian, sepse Maqedonia e Veriut i ka bërë të gjitha hapat e nevojshëm për fillimin e negociatave.

“Dështimi për fillimin e negociatave cenon kredibilitetin e BE-së sepse ne nga njëra anë e pranojmë se në Maqedoninë e Veriut ka përparim të madh për çështje të ndryshme ndërsa nga ana tjetër nuk i fillojmë negociatat. Situata të tilla janë të dëmshme, të rrezikshme dhe në kundërshtim me sigurinë dhe interesat tjera të BE-së”, tha Szijjarto.

Ai tha se pozicioni gjeografik i Ballkanit Perëndimor e bën gjithnjë e më të vështirë kuptimin e proceseve që ndodhin në këtë rajon dhe kemi ndjenjën se politika e BE-së për Ballkanin Perëndimor është joefektive.

Shefi i diplomacisë hungareze kërkoi nga miqtë nga Bullgaria që të miratojnë fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut. Szijjarto shtoi se çështjet e hapura mund të zgjidhen gjatë negociatave.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Szijjarto theksoi se ekstradimi i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski është çështje juridike për të cilën është përgjegjës sistemi gjyqësor.

%d bloggers like this: