Kurti: BE të tregohet e drejtë me Kosovën, të liberalizohen vizat/ Borrell: Fokusohuni në dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe komisionarin Oliver Varhleyi ka ripërsëritur se destinacioni i Kosovës është Bashkimi Evropian dhe se BE-ja është kontinenti ynë. Kurti sërish përsëriti që BE-ja duhet të tregohet e drejtë me Kosovën dhe të heq vizat për qytetarët e saj.

“Është e rëndësishme që të kemi liberalizmin e vizave, dhe janë bërë 3 vite që kur Komisioni Evropian rekomandoj liberalizimin e vizave, e qytetarët tanë vazhdojnë të përballen ende me regjimin e vizave”, u shpreh Kurti.

Ai tha se Kosova e mirëpret takimin e katërt të Këshillit për MSA-në mes BE-së dhe Kosovës.

“Republika e Kosovës mirëpret takimin e katërt të Këshillit të MSA-së mes BE-së dhe Kosovës. Ky takim është një arritje tejet e rëndësishme në zbatimin e MSA-së sidomos në kuptimin e fillimit të fazës së dytë implementimi të prioriteteve politike në agjendën evropiane të reformave. Para dy muajve kemi miratuar planin për ERA 2 me prioritetet që dalin nga MSA-ja për të cilin jemi përkushtuar që ta zbatojmë me prioritet të lartë”, u shpreh ai.Kryeministri foli edhe për menaxhimin e pandemisë, dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Borrell tha se e kanë inkurajuar Kosovën që të fokusohet në dialogun me Serbinë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë drejtim.

“E kemi inkurajuar Kosovën që të vazhdojë në këtë rrugë dhe ta mbajë fokusin në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit. Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja që i bie zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, pa ndonjë angazhim selektiv. Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë në këtë drejtim sepse status-quo-ja nuk është e dobishme për asnjërën palë”, deklaroi ai.

%d bloggers like this: