Kundërpërgjigjet Kosova/ Pas ndalimit të vizitës në Preshevë të 4 ministrave, refuzon vizitën e Petar Petkoviç

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka refuzuar kërkesën për një vizitë dyditore të kryenegociatorit serb Petar Petkoviq. Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi Serbia nuk lejoi që katër ministra kosovarë të vizitojnë Luginën e Preshevës me rastin e 28 nëntorit.

Kreu I zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petkoviq u lajmërua për vendimin këtë të enjte në pikën kufitare në Merdare, ku iu bë me dije se i është ndaluar hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

“Unë kam njoftuar për vizitën në dakordim me marrëveshjen por Prishtina është duke shkelur të gjitha marrëveshjet sërish. Ideja e vizitës sime ishte të vizitoj studentët e Seminarit Teologjik në Prizren, të vizitoj të rikthyerit në fshatin Novake si dhe të flas me njerëzit tanë në veri të Kosovës” është shprehur Petkoviç.

Ndërkohë, pas refuzimit të vizitës në Kosovës të Petar Petkoviçit, reagoi vetë kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç.

“Gjëja më e çuditshme në këtë situatë është se ky ndalim ndodh vetëm disa ditë pasi Bashkimi Evropian i bëri thirrje në mënyrë eksplicite Prishtinës që të respektojë marrëveshjet dhe ta lejojë Petkoviqin të vizitojë Kosovën”, u shpreh Bërnabiq.

“Kërkoj nga Bashkimi Evropian që të përcaktojë qartë sjelljen e Prishtinës dhe në fund të na bëjë të ditur nëse qëllimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve dhe sigurimi i një jete normale për popullsinë e saj në Kosovë, apo nëse këto janë bisedime janë qëllim në vetvete”, deklaroi kryeministrja e Serbisë Bërnabiç.

Ndërkohë, kujtojmë se Më 27 nëntor, ishte Serbia që refuzoi kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës të katër ministrave të qeverisë Kurti. Ministrat Aliu, Nagavci, Murati dhe Çeku kishin planifikuar që gjatë dy ditëve të vizitës të takoheshin me shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit.

%d bloggers like this: