Kosovë, krizë energjetike/ Kryeministri Kurti: Ose kufizime, ose shtrenjtim të çmimit të energjisë

Për shkak të krizës energjetike që po kalon Kosova, kryeministri Albin Kurti, thotë se qeveria ishte e detyruar të zgjidhte ose kufizimet ose shtrenjtimin e çmimit të energjisë.

Kurti argumenton se çmimet e importit janë shtatëfishuar, konkretisht një megavat energji më 21 dhjetor, kushtoi 515 euro.

Sidoqoftë, kreu i qeverisë së Kosovës vlerëson se situata me energjinë është stabilizuar.

“Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.

Ai bëri me dije gjithashtu përpjekjet për të riparuar problemet në bllokun B2, pasi nga prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, nuk mund të mbulohet as gjysma e konsumit.

“Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjell në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për konsum familjar ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, thekson Kurti.

Më 22 dhjetor, autoritetet njoftuan se do të ketë kufizime prej 2 orësh për të gjithë konsumatorët. Por, qytetarët në zona të ndryshme të Kosovës kanë raportuar kufizime edhe më të gjata.

Për shkak të krizës me energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat parashikohet të zgjasin deri në 60 ditë.

Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë, por se vendimi I saj duhet të miratohet së pari brenda shtatë ditësh edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e detyruar t’i ndërpresë ato.

Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e detyrimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

%d bloggers like this: