Kombinimi i Omikron me Delta/ OBSH paralajmëron: Kolaps të sistemeve spitalore/ Optimizëm vetëm vaksinohet 70% e popullsisë deri në qershor 2022

OBSH paralajmëron rënie të mundshme në kolaps të sistemeve spitalore, në pëballje me shpërthimin  masiv të variantit omicron, i kombinuar me deltën. Megjithatë, referuar pritshmërive për një vaksinim të 70% të popullsisë botërore, deri në fund të 6-mujorit të ardhshëm, OBSH shprehet optimiste për një mbyllje më pozitive të 2022.

Incidenca e rasteve me Covid-19 po rritet me shpejtësi në disa vende të botës, duke shënuar një rekord të ri të shifrave javore.

“Cunami” i rasteve të reja si rezultat i kombinimit të varianteve Delta dhe Omicron, rrezikon të çojë sistemet shëndetësore në prag të kolapsit,” deklaroi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë,Tedros Adhanom gjatë një konference për shtyp.

“Kjo situatë do të vazhdojë të ushtrojë një presion të madh mbi stafin shëndetësor, tashmë të rraskapitur”, tha shefi i OBSH-së.

“Studimet e fundit kanë treguar se Omicron në krahasim me variantin Delta, rritet me një kapacitet më të lartë duke u dyfishuar brenda dy ose tre ditëve”, thotë OBSH.

Mbi 935,000 raste me Covid-19 janë regjistruar çdo ditë gjatë javëve të fundit në mbarë botën, duke shënuar nivelin më të lartë të arritur ndonjëherë që prej fillimit të pandemisë.

Të dhënat i referohen javës nga 22 deri më 28 dhjetor dhe bazohen në raportet e komunikuara çdo ditë nga autoritetet shëndetësore të çdo vendi.

E megjithatë OBSH është shprehur optimiste lidhur me situatën e koronavirusit vitin e ardhshëm.

Ndër të tjera, është e rëndësishme që të paktën 70 për qind e popullsisë në çdo vend të vaksinohet deri në mes të vitit, deklaroi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë.

“Atëherë do të ishte e mundur që virusi të dobësohej, të paktën duke shmangur simptomat më të rënda”, tha ai.

OBSH ka shprehur gjithashtu besimin në progresin e mëtejshëm të përdorimit të barnave kundër Covid-19 vitin e ardhshëm.

Tedros u bëri thirrje shteteve të mos jenë kokëfortë, por të ndihmojnë në shpërndarjen e vaksinave në mënyrë të barabartë.

 

%d bloggers like this: