Betonizohet bregdeti nga Velipoja në Sarandë/ Vetëm gjatë 2021 u dhanë 64 leje ndërtimi për resorte, hotele e fshatra turistikë

Pak kohë më parë qeveria dorëzoi në parlament një nismë ligjore për “Menaxhimin e Integruar të zonës bregdetare”, për investime strategjike,  megjithatë është po vetë ai, që është treguar dorëlëshuar me leje ndërtimi të copëzuara në të gjithë vijën bregdetare. Vetëm gjatë vitit 2021, Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë 64 leje ndërtimi për resorte, hotele e fshatra turistikë në zonën bregdetare, duke e betonizuar të gjithë Rivierën Shqiptare nga Velipoja në Veri e deri në Sarandë, në Jug. Numri më i madh i lejeve të ndërtimit për struktura hoteliere gjatë këtij viti është dhënë në Bashkinë e Himarës, me plot 40 të tilla. Lejet përfshijnë pothuajse të gjithë plazhet piktoreske që përfshihen në këtë bashki jugore, duke nisur nga Dhërmiu, në Livadh, Potam e deri në Borsh. Pak javë më parë, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit, kritikoi ashpër kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, duke e konsideruar si të fjetur përballë emergjencës së pastrimit të territorit. Pas Himarës, Durrësi është bashkia me numrin më të madh të lejeve të ndërtimit të dhëna nga Këshilli i Rregullimit të Territorit për vitin 2021. Struktura qeveritare e drejtuar nga Rama ka lëshuar 7 leje për resorte e hotele në këtë bashki, kryesisht në zonën e bregdetit të Hamallajt. Më tej, nga 6 leje për struktura hoteliere e resorte janë dhënë në territorin e Bashkisë së Vlorës dhe të Sarandës. Në Velipojë të Shkodrës dhe në Shëngjin të Lezhës, KRRT-ja e drejtuar nga Edi Rama ka lëshuar nga dy leje për ndërtim resortesh dhe hotelesh. Listën e lejeve të ndërtimit për zonën e bregut e plotëson Kavaja, me një të tillë në zonën bregdetare të Qerretit. Një nismë ligjore e qeverisë “Rama”, e dorëzuar para pak kohësh në Parlament për “Menaxhimin e Integruar të zonës bregdetare, synon që lejet e ndërtimit të jepen vetëm për investime strategjike dhe projekte të Partneritetit Publik-Privat. Qeveria, sipas asaj që deklaron nëpërmjet kësaj nisme synon që të shmangë rrëmujën me lejet e ndërtimit në bregdet dhe të vendosi një rregullshmërisë. Por, përtej asaj që deklaron publikisht qeveria, vetë kryeministri Rama nuk duket se është i bindur me projektin që i ka dorëzuar Parlamentit. Por propaganda e investimeve strategjike, rrëzohet kur Këshilli i Rregullimit të Territorit, i drejtuar nga kryeministri, ka dhënë pafund leje ndërtimi, duke e kthyer betonizuar edhe bregdetin.

%d bloggers like this: