“Ballkani i Hapur” drejt rënies, Shkupi braktis Beogradin e Tiranën/ Pendarovski nga Prishtina: Nuk mund të ketë sukses, e dija që në krye të herës

Nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm dy kanë mbetur pro projektit ‘Ballkani i hapur’. Kjo pas qëndrimit më të fundit që mbajti Maqedonia e Veriut, përmes Presidentit të saj, Stevo Pendarovski, në një deklaratë të lëshuar pikërisht nga Prishtina, gjatë një konference të përbashkët me homologen Vjosa Osmani. Me të njëjtën gjuhë që u shprehën edhe SHBA para pak ditësh, përmes të dërguarit në Ballkan, Gabriel Eskobar, Presidenti Penfarovski, tha se kjo iniciativë nuk mund të ketë sukses përderisa nuk përfshnë të gjitha vendet e rajonit. Madje ai shtoi se që në krye të herës, e ka parë me dyshime “Ballkanin e Hapur”.  “T’ua rikujtoj se, kur nisi si iniciativë në vitin 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezerva. Kësaj iniciative i mungon diçka. Në vend se të jenë gjashtë shtetet, janë vetëm tre. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet, nuk do të sukses. Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësim tregtar e ekonomik, por jo politik. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka institucione, ka resurse që ‘Ballkani i Hapur’ nuk i ka”.

Për Ballkanin e Hapur foli edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe për ndimkin e Rusisë përmes këtij projekti.

“Kosova dhe rajoni ballafaqohen me rreziqe të mëdha për shkak të tendencave destabilzuese të Rusisë nëpërmes Serbisë. Kosova është e përkushtuar jo vetëm të refuzojë ndikimet dashakeqe, por edhe të bashkëpunojë me partnerët tanë që të parandalohen ndikimet e këtilla destabilizuese. Rajonit i duhet ecje me hapa konkretë drejt integrimit evropian, por edhe paqe e stabilitet afatgjatë. Por, krejt kjo dëmtohet nëse ndikimi i Rusisë rritet nëpërmes trampolinës së saj, Serbisë”.

Iniciativa “Ballkani i Hapur”, sipas Osmanit, nuk u ndërtua mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor pasi nuk e pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Përderisa Serbia nuk e trajton Kosovën mënyrë të barabartë në iniciativa rajonale, atëherë shohim se Serbia do zgjerim të interesave të saj hegjemoniste. Kosova ka rezerva të mëdha sa i përket aspekteve politike të kësaj iniciative, por edhe sa i përket ekonomisë e sigurisë sepse synimi është të përdoret njëfarë paradhome që të zvarritet procesi e integrimit evropian”.   

Sa u përket raporteve me Maqedoninë e Veriut, Osmani e falënderoi presidentin Pendarovski për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovën në procesin e integrimeve evropiane, por edhe në NATO, aty ku Maqedonia e Veriut tashmë është anëtare. Në anën tjetër, presidenti Pendarovski gjatë fjalimit të tij u përqendrua te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se dialogu mbetet zgjidhja e vetme drejt stabilitetit në rajon.

“E dimë që procesi është i vështirë dhe i komplikuar, por shtetet e rajonit me qëllim të mirë e mbështesin zgjidhjen e kontestit. Maqedonia e Veriut do të mbështesë marrëveshjen finale mes dy vendeve sepse sipas nesh ajo do të kontribuojë në stabilitet në rajon”, tha ai.

 

%d bloggers like this: