Urimi i Çelës me foton e Enver Hoxhës/ Alizoti: Akti i turpshëm i deputetit të PS, në Gjermani do shkonte në burg

Akt i trupshëm, kështua e ka cilësuar deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, i cili iu është bashkuar reagimeve lidhur me urimin e 28 Nëntorit me portretin e diktatorit Enver Hoxha që bëri deputeti socialist i Lushnjes, Bujar Çela, duke theksuar se me  këtë provokim në Gjermani, do t’i hiqej imuniteti dhe do të shkonte në burg.

“Akti i turpshëm i deputetit të Partisë Socialiste, i cili feston 29 nëntorin me portretin e Enver Hoxhes, nuk është një rast i veçuar. Ai reflekton politikën e ndyrë të këtyre 30 viteve, ku bijtë e etërve kriminelë gëzuan pushtet e privilegje, ndërsa ata që vuajtën burgjeve enden rrugëve me shijen e cinizmit të një vendi që nuk ka ditur të dënojë krimet e të respektojë vlerat. Ky akt, ashtu si dhe raste të tjerë para tij, reflekton një politikë që ushqehet nga krimet e së shkuarës. Nëse kjo do të ndodhte në Gjermani, shoqëria do çohej në këmbë dhe deputetit do ti hiqej imuniteti e do shkonte në burg. Është në turpin tonë fakti që lejojmë të ndodhin poshtërsi të tilla.”, shkruan në reagimin e tij Alizoti.

Kjo ngjarje u dënua më parë edhe nga nënkryetari i kësaj force politike Enkeljd Alibeja, i cili po ahstu ishte dhe denoncuesi i ngjarjes në fjalë. PD më herët do të paraqesë së shpejti në Kuvend një paketë ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.

%d bloggers like this: