Presidentja Osmani uron shqiptarët për 109-vjetorin e Pavarësisë: Kosova, në krah të Shqipërisë

Urimeve për 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë iu është bashkuar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila thekson Kosova do të jetë gjithmonë krah Shqipërisë. Ndërsa shprejet se më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar e kurorëzoi aspiratën për Shqipërinë e pavarur, Osmani ka shtuar se ky akt së bashku me ngritjen e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët, të cilën e ndërtuam me mund dhe sakrifica.

“Kjo datë ka shumë peshë historike. Në këtë ditë ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht. Të dy këto ngjarje i japin edhe më shumë kuptim nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë, idealin e brezave që nga Skënderbeu, Ismail Qemajli, Isa Boletini e shumë patriotë të tjerë”, ka shkruar Osmani në Facebook. Ajo ka shtuar se në 109- vjetorin e pavarësisë, uroj që Shqipëria krahas Kosovës të ketë sukses në të gjitha fushat.

%d bloggers like this: