Presidenti Meta takon Ramush Haradinajn: Procesi i Berlinit, mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal

Presidenti Ilir Meta i ndodhur prej dy ditësh në shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, ka takuar mëngjesin e sotëm kreun e AAK-së dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Teksa e konsideroi takimin si vëllazëror, Meta shkruan në profilin zyrtar se kanë ndarë në këtë takim vëllazëror urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit dhe kanë nënvizuar rëndësinë e mëtejshme të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

“I lumtur të nisja sot ditën me një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin, Ramush Haradinaj. Ndamë urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe nënvizuam rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, në dobi të qytetarëve tanë. Në këtë kuadër, vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe me impakt zhvillues për tërë rajonin.”, shkruan Meta.
Më tej Meta shkruan se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane.
“Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, si element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, theksova se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane.”, përfundon Meta.
%d bloggers like this: