Presidenti i Sllovenisë: BE t’i liberalizojë vizat për Kosovën / Osmani: Të ndalet retorika destabilizuese e Serbisë në rajon

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në kuadër të vizitës së tij zyrtare në shtetin tjetër shqiptar, Kosovë ka zhvilluar  këtë të hënë një konferncë të përbashkët me homologen Vjosa Osmani, ku ka theksuar se Sllovenia ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për pavarësi, njësoj siç edhe e ka mbështetur edhe në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik. Pahor tha po ashtu se duhet të bëhet më shumë në dialogun në Bruksel për personat e zhdukur gjatë luftës dhe bëri thirrje për liberalizimin e vizave.

“Bashkimi Evropian duhet t’i liberalizojë vizat për Kosovën dhe se duhet në kuadër të dialogut Prishtinë Beograd të bëhet një hap më tej tek personat e zhdukur. Për të dy këto çështje, Sllovenia është mbështetëse edhe më tutje. Sllovenia e mbështet edhe perspektivën euroatlantike të Kosovës”, tha Pahor në konferencën për media.

Ndërkohë presidentja Vjosa Osmani deklaroi se prioritet mbetet zgjerimi i këtij bashkëpunimi me Slloveninë.

“Kosova e ka rrugën e saj të qartë dhe ajo është rruga drejt integrimit europian. Për ne nuk ka alternativë tjetër përveç BE dhe NATO”, ka thënë Osmani.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi ajo është shprehur se Kosova ka qenë gjithnjë pala më konstruktive në këtë proces, ndërsa theksoi se Serbia është ajo që duket se nuk është e interesuar që të arrijë një marrëveshje.

Me tej shtoi se Serbia përmes strukturave ilegale në veri po vazhdon të destabilizojë Kosovë, duke theksuar se edhe rritja e ndikimit rus paraqet kërcënim për destabilizim të rajonit.

“Shpresojmë që BE-ja do të jetë e qartë me Serbinë dhe të kërkoj që të ndërpres retorikën destabilizuese jo vetëm në raport me Kosovën por edhe me shtetet tjera të rajonit”, tha Osmani.

Presidentja Osmani shtoi se për të luftuar këto tendenca destabilizuese është e domosdoshme përkrahjen e miqve.

%d bloggers like this: