Motivi i të shtënave ende i paqartë/ Prokuroria: Hetimet në Deçan nuk janë të lehta

Megjithëse është arritur të sigurohen disa informacione që ndihmojnë në zbardhjen e krimit të rëndë në Deçan, procesi hetimor mbetet shumë i vështirë. Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë tha se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave në Deçan, por pranoi se hetimet “nuk janë aspak të lehta”.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jemi optimist se do ta bëjmë”, i Radios Evropa e Lirë prokurorja e cështjes, Sahide Gashi, por pa dhënë detaje të tjera. Prokurorja Gashi tha se njësitet elitare “janë duke punuar 24 orë” në kërkim të sulmuesit të dyshuar.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona – në mesin e tyre dy nxënës shkolle – mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit – rreth 100 kilometra larg Prishtinës. Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se deri tani nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist.Në incident mbeti i plagosur edhe një person, por gjendja e tij shëndetësore mësohet të jetë e qëndrueshme. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë sa më parë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.Të dielën, Kurti vizitoi stacionin e policisë në Deçan, “Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk e kemi zgjidhjen. Nuk po mungon angazhimi, është shtuar numri i zyrtarëve që po merren me hetimin e hulumtimin, në mënyrë që të sillet para drejtësisë vrasësi apo vrasësja”, tha Kurti para mediave.Derisa qëndroi për vizitë në fshatin Gllogjan, ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndajnë me organet e rendit çdo informacion të mundshëm, që mund të çojë deri te zbardhja e rastit.

Qeveria e Kosovës, si shpërblim për informacione që shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti, ka ndarë 20 mijë euro.

 

%d bloggers like this: