‘Model putinist’, Basha: Ky është buxheti i klientëve të qeverisë jo i qytetarëve/ Rritja e azilkërkuesve, katastrofë kombëtare

Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend kreu i PD Lulzim Basha deklaroi se buxheti i vitit 2022 është i pushtetarëve dhe klientëve të qeverisë, me të cilët është ngritur modeli putinist i klientelizmit dhe korrupsionit. Basha akuzoi qeverinë se po godet prodhimin vendas. “Dhe paradoksalisht, qeveria që nuk dëgjon fermerët, që nuk dëgjon asnjë grup interesi, pasi ka arritur të lërë të pakënaqur të gjitha grupet e interesit, shoqata prodhuesish vendas, eksportuesish, investitoresh, tregtaresh, rekord historik ky në fakt që tregon shumë për cilësinë e politikave tuaja, është e njëjta qeveri që ka votuar në këtë sallë ligjin për bashkëqeverisjen. Pra, keni bërë ligj parullën propagandistike që kujtoni me nostalgji, ç’thotë populli bën partia. Sepse ky nuk është buxheti i qytetarëve, por buxheti i klientëve tuaj, me të cilët keni ndërtuar një model ekonomik putinist, të ngritur mbi klientelizmin dhe korrupsionin të kudondodhur, siç tregon çdo raport dhe çdo studim ndërkombëtar. Një model putinist që bazohet mbi kontrollin asfiksues të ekonomisë, që nuk prodhon mirëqenie për qytetarët.”

Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Basha u ndal edhe në agjensinë për fondet e donatorëve e cila do të drejtohet nga ish ministri Ilir Beqaj. Basha tha se po këtë vendim qeveria po valëvit, Beqajn si flamur të pandëshkueshmërisë c’ka sipas tij është një dëshmi e përqëndrimit të pushtetit ekonomik në pak duar.
“110 milionë euro që vitin tjetër do shkojnë për PPP-të, 51.2 milionë eurot që do shkojnë për luksin qeveritar, të shoqëruara me shpenzimet për agjensitë e Medias, atë të bashkëqeverisjes dhe atë për me menaxhimin e fondeve të donatorëve, që ia keni varur në qafë si mëlçitë ujkut, Ilir Beqajt.”

Sa i përket numrit të lartë të azilkërkuesve, Basha tha se kjo është fatkeqësia kombëtare përballë të cilës të gjithë ne ndodhemi, ky është imoraliteti politik që spikat këtë qeveri, e cila shqetësohet të sigurojë përfitimet e oligarkëve të saj, dhe as nuk vë ujin në zjarr për pasigurinë ekonomike që veprimet dhe mosveprimet e saj shkaktojnë në ekonominë e familjeve dhe bizneseve të ndershme shqiptare.

%d bloggers like this: