Zgjedhjet në Kosovë, voton Kurti: Shfrytëzojeni këtë moment barazie/ Ja dhe mesazhet e dy krerëve të opozitës

Kryeministri Albin Kurti, pasi ka votuar në qendrat e votimit për zgjedhjen e drejtuesve të komunave dhe këshillat komunalë, që mbahen sot në Kosovë, është ndalur në një deklartë për mediat, nga ku u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive. Lideri i “Vetëvendosjes” u zotua se si kryeministër, ai dhe qeveria do të punojnë e bashkëpunojë shumë ngushtë në fuqizimin e komunave. “Sot sa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira dhe demokratike. Qytetarët sot vendosin se kush do të jenë udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre. I inkurajojë të gjithë qytetarët që të përdorin mundësitë e barabarta që kanë sot. Unë bashkë me qeverinë do të punojë dhe të bashkëpunojë shumë ngushte më fuqizimin e komunave”, tha Kurti.

Kutive të votimit i është drejtuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Unë jam udhëheqës i opozitës, por këtu para gjithash jam qytetar i Prishtinës, jam banor që me familjen time jetoj në këtë qytet. Prandaj ky obligim qytetar, kjo votë bëhet si obligim i qytetarëve të Prishtinës që dëshiron më të mirën për komunë e tij. Shpresoj që edhe gjithë qytetarët tjerë, këtu në Prishtinë, por edhe anë e mbanë Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratik për të zgjedhur kandidatët më të mirë dhe atyre që iu besojnë më shumë. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët, jo për politikanët, pjesëmarrja e madhe është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratik se kush do të udhëheq në katër vjetët e ardhshme”, tha ai.

Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë. Pas votimit ai ka thënë se është festë sepse po bëhet vendimmarrja prej qytetarëve të Kosovës.

“Ushtruam të drejtën tonë demokratike, për të votuar. Sot është festë sepse bëhet vendimmarrja prej qytetarëve tanë dhe s’ka gjë më të mirë që qytetarët të vendosin. Uroj që kjo ditë të kaloj sa më mirë dhe në të njëjtën kohë duhet t’i falënderoj të gjithë të angazhuarit”, ka thënë Abdixhiku.

%d bloggers like this: