Zgjedhjet lokale/ Kosova dhe Maqedonia e Veriut zgjedhin të dielën pushtetarët vendorë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) nisi këtë të shtunë shpërndarjen e materialit zgjedhor – përfshirë fletëvotimet – për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 17 tetor.
Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.
Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Në këto zgjedhje, qytetarët do të munden të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Lista Serbe, fitoi në të dhjeta komunat me shumicë serbe, Lidhja Demokratike fitoi në tetë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi shtatë komuna, Partia Demokratike ka fituar udhëheqjen e pesë komunave, tri komuna i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, një komunë e ka fituar Nisma Socialdemokrate dhe dy komuna u fituan nga kandidatë të pavarur.
Jo vetëm në Kosovë, por të dielën zhvillohen zgjedhje vendore edhe në Maqedoninë e Veriut.
10.532 kandidatë për këshilltarë të shpërndarë në 572 lista dhe 299 kandidatë për Kryetar të Komunave, kërkojnë besimin në zgjedhjet lokale në betejën për 1.347 vende këshilltarësh dhe 81 kryebashkiak.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 1.824.864 qytetarë, thuajse 10.000 më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare para 15 muajve.

%d bloggers like this: