Tensionet në Veri të Kosovës/ Kryeministri Kurti: Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen, mos bini pre e mediave në Serbi

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me aksionin e sotëm të policisë kundër kontrabandës në veri të Kosovës, që u shoqërua me tensione ku banorët serbë sulmuan policinë, ndërsa blutë u përgjigjën me gaz lotsjellës. Kurti u bën thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që “të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

“Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.”, deklaroi Kurti.

%d bloggers like this: