Takimi me delegacionin e Senatit të SHBA/ Basha: Të rikthejmë demokracinë, të ruhet sovraniteti i Kosovës

Kryedemokrati Lulzim Basha në një deklaratë nga selia blu zbardhi detaje të takimit të tij me delegacionin e senatit amerikan, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja Yuri Kim, ndërsa theksoi rikthimi i  demokracisë, masakra zgjedhore dhe zhvillimet në rajon ishin ndër çështjet kryesore që u diskutuan në takimin 30 min. Basha tha se përmes SHBA-së, duhet të krijohet një klimë e mirë investimesh në Shqipëri që të përfitojnë qytetarët përmes vendeve të punës apo dhe mundësive të tjera.

“Dy janë çështjet kryesore për të cilat kemi folur, një ka të bëjë me demokracinë shqiptare, udhëkryqin ku ndodhet pas masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe rolin e PD dhe opozitës në parlament dhe në bashkëpunim me gjithë forcat e gjalla të shoqërisë shqiptare dhe me ndihmën e SHBA, për të kthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Përmes një vendi që është demokratik, ku respektohen zgjedhjet e qytetarëve, ku nuk goditet e burgoset i pamunduri, por ndëshkohet politikani i korruptuar, të krijojmë një klime investimesh nga e cila të përfitojnë shqiptarët. Çështja tjetër, ka të bëjë me rajonin, sa i përket situatës së provokuar nga ringjallja e planeve hegjemoniste serbe përmes proceseve si ai i Novisadit dhe nevojës për të forcuar praninë politike të SHBA për të ndaluar çdo ofensivë jo perëndimore. Me theks të veçantë për ruajtjen dhe garantimin e sovranitetit të Kosovës, dhe njohjen reciproke si guri i fundit i themelit për stabilitetin në rajonin perëndimor. Miqtë u interesuan edhe sa i përket çështjes së anëtarësimit në BE dhe konfuzionin e krijuar mes mosperformancës së autokratëve të Ballkanit duke nisur nga ky i Tiranës dhe nevojës që BE t’i thotë gjërat qartë.”-u shpreh Basha.

%d bloggers like this: