Pengimi i studentëve në auditore, policia në shkelje të Kushtetutës/ Nuk egziston asnjë akt ligjor për vaksinimin e detyrueshëm

Situata e pandemisë së Covid-19, nëpërmjet bombardimit masiv me informacion, ka krijuar një gjendje që gjithnjë e më shumë e ka ndarë opinion publik në dy kampe. Në njëreën anë janë ata që i kanë vuajtur pasojat e kësaj sëmundjeje, së bashku me armatën e personelit shëndetësor, që po përjeton një emergjencë pa mbarim dhe në anën tjetër kemi atë pjesë të popullsisë, që vetëm rrinë e vështrojnë, duke hedhur gjithëfarë lloj hipotezash dhe interpretimesh, deri dhe në mohimin e këtij realiteti, pra deri në mohimin e ekzistencës së kësaj sëmundje.

Çfarëdo komenti i yni shtesë, për marrjen e një pozicioni ndaj këtyre kategorive, në mënyrë absolute nuk do të përbënte lajm, por thjesht do të ishte një zhurmim shtesë në gjithë këtë situatë. I vetmi subject, që është I denuar që të reagoje, që është I detyruar të marrë përgjegjësitë e veta sot edhe nesër , është shteti.

Që nga dita e parë e deri më sot, shteti shqiptar nuk u ngrit kurrë në nivelin e situatës që krijoi kjo pandemi, por qëndroi në rol pritës dhe shumë herë ka hedhut gurin e fshehur dorën.

Shteti shqiptar asnjëherë, nuk mori përgjegjësitë që ka ndaj shtetasve të vet, por u bë pjesë e zhurmnajës, duke vepruar herë si ojq dhe herë si organizatë e fshehtë, që është e dënuar të fshehë sekretet e saj. Prej një kohe të gjatë, situata e vaksinimit është bërë temë e ditës.

Njëra kategori mbron me forcë të drejtën e vaksinimit dhe përfitimet prej saj, e tjetra me çdo mënyrë dhe mjet përhapë informacion kundër saj. Në këtë situatë cdo individ që jeton në këtë territor që quhet Shqipëri, mbetet në mëshirë të fatit, se cfarë vendimi duhet të marrë, për vaksinimin. Është e pamundur të ndash një informacion apo lajm thjesht mediatik, me atë të një zyrtari të shtetit, kur të gjithë vetëm flasin e flasin, por asgjë nuk po mbetet në fund. Ballafaqimi me studentët në ditën e parë të vitit të ri akademik, ishte një nivel i ri i prezantimit të kësaj situate.

Shteti doli dhe përdori forcën ndaj studentëve, për mos’hyrjen në universitete, me motivin se ishin të pavaksinuar. Por shteti nuk mund të sillet si një ojf apo një bandë, kur në themel të veprimtarisë së tij, është Kushtetuta dhe ligji. Shtrojmë një pyetje që askush nuk merr mundimin ta bëjë.

Cili është akti ligjor që ka vendosur për vaksinimin e detyrueshëm? Dhe përgjigja është e thjeshtë. Nuk ka ! Nuk ka asnjë akt për këtë  situatë që përsëritet si papagall nga të gjitha palët, vaksinimi i detyrueshëm. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 4 thekson:

“E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.”

Kushtetuta në nenin 15, thekson: “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.

Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre”

Kushtetuta  në nenin 17 thekson: “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.

Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.” Edhe Ligji nr.15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, në nenin 18, përcaktohet qartë, që është Ministri I Shëndetësisë, që duhet të shprehet me akt normative, për vaksinimin. Por deri me sot, ne dijeninë tonë, në fletoren zyrtare të republikës së Shqipërisë nuk një akt të tillë, ndaj lind pyetja; në emër të cilit akt Ministria e Arsimit dhe rektorët e Universiteteve, po pengojnë studentët që të hyjnë në auditore?

Në emër të cilit ligj dhe akt normativ po vepron policia e shtetit duke dhunuar studentët, kur për cështjen e vaksinimit nuk ka asnjë akt normativ në Shqipëri. Është rasti t’i kujtojmë policisë shtetit ligjin e saj.

Bazuar në nenin 2 të ligjit 108/2014 “për policinë e shtetit”, është sanksionuar: “…garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.” Çfarë akti normativ të Ministrisë së Shëndetësisë, ka policia e shtetit për vaksinimin e detyruar, që ndalon me dhunë studentët që të hyjnë në auditorët e tyre. Auditorët e dijes kanë qenë dhe do të jenë të shenjtë për këdo, ndaj nuk duhen përdhosur, duke shkelur mbi librin themeltar të shtetit, po kaq të shenjt.

%d bloggers like this: