OSSH dhe OST aplikojnë për tarifa deri në dyfish më të larta të energjisë, pritet konfirmim i ERE

Po ndodh ajo që ishte paralajmëruar nga vetë kreu i qeverisë Edi Rama lidhur me krizën energjitike se do të ketë rritje të çmimit të saj, e në vijim edhe të produkteve ushqimore. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e tarifave të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë. Sjellim ndërmend se edhe vitin e kaluar OST kërkoi rritjen e tarifës së transmetimit të energjisë në 1.31 lekë/kwh nga 0.75 lekë/kwh që është aktualisht, kërkesë që ERE vendosi të mos e shqyrtonte për shkak të mos argumentimit nga ana e OST mbi nevojën e kësaj rritjeje. Operatori  i Sistemit të Shpërndarjes kërkoi vjet që tarifa e shpërndarjes të shkonte në 3.70 lekë/këh për klientët e lidhur në 35 KV nga  1.5 lekë/kËh që është aktualisht. Po ashtu, u propozua që kjo tarifë të shkonte në 4 lekë/këh për klientët e lidhur në tensionin 6-20 kv nga 3.9 lekë/këh që është aktualisht.  OST aktualisht faturon energjinë e lëvruar bazuar në tarifën mesatare të shpërndarjes së energjisë elektrike prej 4.79 lekë/kËh. Këtë vit Enti Rregullator i Energjisë zhvilloi edhe konsultime me grupet e interesit mbi tarifat e reja të kërkura nga OST, të cilat u ndërprenë si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit, çka e la situatën të pandrysheshme. Lidhur me pretendimet për rritje bizneset argumentuan se këto tarifa do të ndikonin në uljen e konkurrueshmërisë jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në drejtim të eksporteve. Aktualisht OSSH ka kërkuar që të plotësojë aplikimin e saj me dokumentacion shtesë, ndërkohë që referuar procedurave standarde, fillimisht ERE do të duhet të vendosë nëse do të fillojë shqyrtimin e aplikimet e OST-së dhe OSSH-së. Paralelisht, në pritje është edhe aplikimi që do të kryhet nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, për çmimin e shitjes me pakicë të energjisë e nëse kjo kompani do të zgjedhë të përballojë me të ardhuart e veta rritjen e mundshme të tarifave të transemtimit dhe shpërndarjes apo të shkarkojë këtë rritje tek abonentët e saj familjarë e biznese.

%d bloggers like this: