Nga Enver Bytyçi/ Bëhuni bashkë, nëse e doni Kosovën shtet sovran dhe të pavarur!

Dy aksionet e policisë së Kosovës në veri të vendit janë edhe akte politike të shtetit dhe institucioneve të saj. Vendosja e rendit, sovranitetit dhe kontrollit në të gjithë territorin është e drejtë dhe detyrë themelore për çdo qeveri dhe qeverisje. Qeveritë e mëparshme të dominuara nga Partia Demokratike dhe Hashim Thaçi, por dhe me pjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike të Isa Mustafës, nuk mundën ose nuk deshën që ta shtrijnë kontrollin dhe sovranitetin e tyre në veri të Mitrovicës.

Arsyet nuk i interesojnë askujt për këto qëndrime të dëmshme për shtetin dhe shtetësinë të qeverive para Kurtit. Por impakti dhe dëmi që është shkaktuar është i jashtëzakonshëm. Serbia përfitoi kohë të mjaftueshme të kontrollonte në gjithçka e për gjithçka veriun e Kosovës. Politikanë dhe intelektualë të shumtë deri në pesimizëm e kanë konstatuar këtë fakt. Disa të paktë ranë në panik dhe rekomanduan si zgjidhje ndarjen e Kosovës. Të tjerë ishin të dyzuar, nëse Kosova do të kishte kapacitete për të shtrirë sundimin e sovranitetit të vet në çdo metër katror të sipërfaqes së vendit.

Dy aksionet politike dhe policore të qeverisë së zotit Kurti kanë rikthyer këtë diskutim dhe kanë dhënë shpresa për mirë. Për mendimin tim, ato dy aksione kanë krijuar kushtet dhe lehtësuar rrethanat që shteti i Kosovës të jetë unik në çdo pjesë të vendit. Kontrolli i veriut të vendit është kusht i domosdoshëm për të parandaluar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe ndarjen e saj, qëllime këto krejt të pastra të Beogradit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Aksionet e Policisë në veri u adresuan me mençuri, sepse ishin të justifikuara për objektin që patën në fokus. Këto aksione, sidomos ai për reciprocitetin e targave, ishin të suksesshme dhe profesionale, gjë që rriti kredencialet e shtetësisë për vendin.

Aksionet në fjalë nxorën fytyrën e vërtetë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili edhe me ndihmën e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit u proklamua si lider i stabilitetit, paqes e sigurisë në rajon. Kur Beogradi mobilizon ushtri dhe armatos serbët e veriut, siç u pa edhe dje, atëherë bota demokratike mban shënime tjera nga ato që janë premtuar. Prandaj dhe diplomacia amerikane me ndihmën e asaj gjermane po bëhen gjithnjë e më imponuese, madje duket se po shkon drejt natyrës diplomatike të përdorur kundër Milosheviçit. Mbështetja e aksionit të djeshëm nga SHBA, KFOR-i, NATO dhe ambasadori gjerman në Prishtinë është fitore e jashtëzakonshme e diplomacisë së Kosovës. Edhe pjesëmarrja ditën e premte e zonjës Osmane në funksionin e presidentes së vendit në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, është shprehje e afirmimit të shtetësisë së Kosovës.

Për këto arsye duhet të mendojmë se qeveria e Kosovës bën mirë që merret me luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, bën mirë që vendos reciprocitet me Serbinë dhe do të bënte punën e duhur nëse do të ushtronte pushtetin e saj edhe në sektorët ekonomikë e financiarë në lidhje me furnizimin me energji elektrike, me ujë dhe me pagesën e detyrimeve për taksat dhe tatimet e Kosovës ne veri të saj. Këto janë akte jo të lehta për shkak të trashëgimisë që kanë lënë qeveritë e kaluara. Por duhen mbledh taksat, duhet paguar energjia dhe uji që konsumohet. Duhen gjetur rrugë, mundësi e mënyra nga më të butat deri te përdorimi i forcës proporcionale për zbatimin e ligjit në veri të Mitrovicës. Të drejtat e serbëve nuk mund të shkojnë pa limit në dëm të të drejtave të qytetarëve të tjerë të vendit. Ky do të ishte diskriminim.

Por le të supozojmë se shteti, institucionet, qeveria, policia, forcat speciale dhe të gjitha strukturat e sigurisë, financave, kontrollit etj, do të angazhohen seriozisht për të vënë kontroll në veri të vendit. Cili do të duhet të jetë qëndrimi i opozitës, medies, analistëve edhe atyre manipulatorëve në këtë rast? Do të duhet vetëm mbështetje! Mbështetja nuk jepet thjesht me solidarizim, por edhe me këshilla, me pjesëmarrje, me inkurajimin e zbatimit të ligjit, me elaborimin teorik e parimor të së drejtës shtetërore e kështu me radhë.

Nëse do të ketë politikanë dhe analistë që përpiqen të gjejnë një qime ne liqen, atëherë do të thotë se këta politikanë, akademikë, analistë, gazetarë e medie janë të paguar nga Beogradi me qëllim që të përkrahin “të drejtën serbe në veriun e Kosovës”! Dua ta them me plot gojën: Kjo është tradhti për interesat dhe sovranitetin e Kosovës. Qeveria dhe institucionet kanë e do të kenë nevojë për mbështetjen dhe përkrahjen e të gjithë instrumenteve politikë, të medies, të shoqërisë civile dhe të qytetarëve të Kosovës. Nëse ndodh kjo, inkurajohet qeveria, policia dhe institucionet e tjera të shtetit për të rikthyer plotësisht sovranitetin shtetëror në Kosovë.

Në këto përpjekje nuk ka asgjë anti-kushtetuese dhe anti-ligjore. Kushtetutën e kanë votuar edhe deputetët e minoritetit serb. Prandaj nuk ka e nuk mund të ketë mëdyshje në këtë pikë. Ndryshe ndihmohet Aleksandër Vuçiq dhe Serbia për të forcuar sovranitetin serb në veri të Kosovës. Kjo do t’i kushtojë asaj ndarjen e menjëhershme ose të mëvonshme përmes Asociacionit.

Opozita, media dhe gjithkush duhet t’i kërkojë qeverisë, parlamentit, presidentes, policisë, forcave të sigurisë të vendosin sovranitetin sa më parë dhe me sa më pak kosto politike e me mençuri në veri të Mitrovicës. Kjo është detyra imediate për Kosovën! Nëse kemi një qeveri me vullnet të mirë në këtë drejtim, ndihmojeni atë që ta bëjë detyrën, madje me urtësi, mençuri dhe profesionalizëm politik, policor, administrativ, kushtetues e ligjor!

 

%d bloggers like this: