Nga Basir Çollaku/ Vettingu i politikës, të mos mbajmë verë e të pimë ujë…

Nga Basir Çollaku

Propozimi i Partisë Demokratike, vetting politikës, tashmë depozituar në Kuvend, duhet të jetë një akt ligjor radikal, i shpejtë jo kursyes, jo qokaxhi, jo pazar kokash, jo në duar të kontrolluara si strukturat e sotme të drejtësisë, azmatike për nga pavarësia. Duhet të nisë me Kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, pastaj qeveria, e në rradhe deputetë, drejtues institucionesh kushtetuese, e kryebashkiakë. Nëse i ngjan për nga formati, personazhet, rezultati, qëllimi gjysmak i rivlerësimit të subjekteve të drejtësisë, do të kemi asgjë më shumë se një komedi të zezë.

Drejtësia në Shqipëri, kjo e reja e ngjizur në këto 5 mote, me gjithë sheqerin diplomatik e financiar euroatlantik me tepri, nuk ka befasuar me rezultate, duke qenë anemike me një pafuqi të dukshme. Bashkimi Evropian duke parë eksperimentin problematik në Tiranë, nuk lejoi të ndodhte njëlloj në Shkup dhe Prishtinë. Vettingu, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka sjellë largimin e mbi 60 përqind të subjekteve, ndonëse penalizimet për mosjustifikime pasurish, janë me gishta dore si raste. Por ka sjellë dhe Gjykata nga ajo Kushtetuese, e Lartë, Apelet, Prokurorisë së Posaçme, jo saktësisht e tërësisht funksionale. Ka sjellë gjithashtu mbi 15 mijë dosje stok në Gjykatën Administrative apo mbi 36 mijë në Gjykatën e Lartë një përqindje e madhe e të cilave janë prej dy vitesh nëpër magazina.

Jo vetëm kaq

Formula “gjurmo paranë”, ka shkuar deri në gjysëm. E kanë gjurmuar dhe pasi kanë marrë vesh ku gjendet, e kanë lënë në të njëjtat duar, llogari, adresa, me përjashtime simbolike në numër dhe pasuri. Siç janë episodet e Llallës dhe Dedjes, dy ish kryetarëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës Kushtetuese, të cilat më së shumti kanë shërbyer si shembuj statistikorë për postet e larta mbajtur prej tyre. Pastrimi i politikës duhej të ishte bërë para drejtësisë, për të mos kompromentuar kontrollin e kësaj të fundit, e cila do të marrë përsipër krasitjen e bamirësve të tyre. SPAK, nuk ka potenciale aktualisht të bëjë këtë proces. Kjo prokurori, është mjaft e paragjykuar nga pamundësia për të na dhënë raste të besueshme të distancimit nga politika. Deri më tani nuk i kemi këto dosje konkrete si dëshmi pavarësie. Nëse ajo do të riformatohet, ribëhet, do të marrë përsipër përballjen jo thjesht me fjalë, apo vendime të shumta moskompetence, si me jo pak dosje të mëdha të derisotme, atëherë mirë se të vijë. Në Krimet e rënda dje, në SPAK sot, ka pasur dhe ka dosje për ministra, ish ministra, kryebashkiakë, deputetë, të cilat duhej të kishin shkuar në Gjykatë. Do të ishim sot me një vetting të filluar, më drejtësi që punon pa leje nga qeveria apo politika. Shembuji se drejtësinë e re e ka zënë reumatizma ka jo pak. Tenderi 28 milionë eurosh në Ministrinë e Brendshme u mbyll së hetuari duke ngecur në komisionerë ofertash, pa këllqe të mjaftueshme për t’u ngjitur lart te eprorët e institucionit apo në burim ku merren vendime e porosi për fituesit në rastë të këtyre shumave disamilionë euroshe. Tenderi për inceneratorët qindra milionë euro të tjera, ka zënë myk prej muajsh, dosja nr.17 e Ndranghetës ku lakohet Veliaj, rrezik e kanë djegur me shkrepëse. Kontrata qindramilionë euro të tjera firmosur nga Damian tërmeti, përvëlojnë duar prokurorësh dhe lihen mënjanë. Ndaj vettingu i politikanëve duhet të ketë një strukturë me besueshmëri shumë herë më të lartë se kjo ku gjendemi sot. Duke parë mekjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, ku kryeministrit ka nisur të mos i pëlqejë anglishtja, besoj se partnerët amerikanë kanë nisur një kapitull të dytë me politikën, ku qeveria dhe drejtuesi i saj Rama, nuk janë aspak në rehatinë e deritsotme. Kjo luftë duhet të ketë viktima konkretë. Duhen “vrasje” politike për shkak të mëkateve të bëra nga subjektet. Nuk duhet t’i ngjajë vettingut të drejtësisë identifiko, largo dhe gëzo zullumin. Nëse kjo do të përdoret si telenovelë debatesh, sajesë e një krize të re, për të mbuluar gjithë të vjetrat, atëherë do të përfundojmë duke mbajtur verë e pirë ujë.

%d bloggers like this: