Nga Basir Çollaku/ Lista e “Non grata” të PS, sa kushton nderi amerikan për Edi Ramën

Së paku nga viti 2017 deri më sot janë rreth 170 zyrtarë dhe ish-zyrtarë shqiptarë të cilëve ambasada amerikane në Tiranë u ka refuzuar vizat, por emrat e tyre nuk janë bërë të njohur publikisht. Edhe kur nuk janë dhënë arsyet, siç shumë shpesh ndodh, rezulton hapur të jetë papëlqyeshmëri, padëshërueshmëri. Ky është një folder më vete diplomatik dhe politik, ku interesat luhaten sipas interesave. Vështirë të pretendosh një transparencë të tillë, në tokën amerikane në Tiranë, për të mësuar listën e këtyre “Non gratave”, ose për ndryshe të refuzuarve.

Në dallim nga ligjet për dhënie të vizave, kur refuzimi është vendim konfidencial, ligji që përcakton zyrtarët e huaj “Non grata” për në Amerikë, mund të bëhet publik.

Por a ka një listë dhe a po bëhet publike?

Pyetje shumë milionë dollarëshe ende pa një përgjigje njëdollarëshe.

Në një interviste për Zërin e Amerikës me 25 shtator 2021, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar ndër të tjera pyetur rreth emrave të tjerë pushtetarësh “Non grata” që do të deklarohen tha se “…Do të shihni përcaktime të tjera për të gjithë rajonin. Nuk mund të komentoj për raste të veçanta. Por ne synojmë t’i përdorim kompetencat, për qëllimin që ato u krijuan…”

Jo shumë kohë para zgjedhjeve të 25 prillit, saktësisht me 11 shkurt 2021, ambasadorja amerikane në Tiranë zonja Yuri Kim, deklaroi lidhur me Tom Doshin se: “Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: KM Edi Rama dhe unë patëm një bisedë të qartë se çfarë do të thotë ky emërtim (non grata). Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri, në çdo qeveri që ai do të formojë”. Teksti nuk do një koment për ta marrë vesh, se zgjedhjet paskan mbaruar në shkurt dhe qeveria “Rama” nuk do kishte si ministër Doshin. Natyrisht mund ta ketë garantuar Edi Rama se nuk do të kishte ministër as Vangjush Dakon, një tjetër eksponent të rëndësishem të PS, pushtetit dhe dosjeve. Sepse me 30 korrik 2019  Vangjush Dako, sipas deklarimit të Departamenit të Shtetit ishte vendosur për “ kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako në listën e personave që u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen. Në njoftim theksohet se arsyeja e kësaj mase është përfshirja e tij në raste të mëdha korrupsioni….”

Natyrisht siç kanë bërë të ditur diplomatët e rëndësishëm amerikanë në Tiranë dhe të dërguar, ligji që u ndalon hyrjen në SHBA të zyrtarëve të huaj, është një mjet që administrata amerikane e përdor për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga pushtetarë e zyrtarë të huaj.

 

Në vitin 2012, Kongresi amerikan e ka zgjeruar hapësirën e shtrirjes së ndalimit të hyrjes në USA, duke shtuar emërtimin  “raste të mëdha korrupsioni” e theksuar se përcaktimi për zyrtarët mund të bëhej publik ose të mbetej privat. Për Shqipërinë rasti i parë bërë publik ka qenë ai i ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla në shkurt 2018, më pas Vangjush Dako në korrik 2019 dhe ish-kryeministri Sali Berisha në maj 2021.

Legjenda mediatike, diplomatike, natyrisht të informuara në burime serioze të dhënash kanë përmendur se janë shumë emra të tjerë politkanësh e pushtetarësh shqiptarë në një listë të madhe ‘Non grata” nga amerikanët, një listë e gjatë me tre shifra.

 

A janë në një inventar të tillë mjaft emra që po shtojmë arsyet përse mund të gjenden?

Gramoz Ruçi

A ka qenë në vitin 2004, “Non grata” përcaktim i rregulluar me emergjencë pas një ndërhyrje qeveritare nga Tirana dhe qokë e ribërë më pas? Largimi pas zgjedhjeve të 25 prillit i ish-kryetarit të Kuvendit, numrit dy të shtetit, krahut të djathtë të Edi Ramës, Gramoz Ruçi, a kishte të bënte me praninë e tij në një listë të tillë së paku të pretenduar sa shumëkush saktëson se ekziston?

Sajmir Tahiri, a duhet të ishte dhe a është në një skedar të tillë? Ish-ministri i brendshëm, të cilin ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, e shoqëroi në vizitën në Shtëpinë e Bardhë në zyrën e presidentit Obama, kur akuzat ndaj tij, për trafik ndërkombëtar droge ishin të shumta nga shërbimet, e më pas u zyrtarizuan nga Antimafia dhe Krimet e Rënda, e më pas Prokuroria e Posaçme?

Fatmir Xhafa

A është, ishte, duhet të jetë, në një renditje të tillë, ndonëse përflitej kur ishte ministër si njeri i amerikanëve, por vëllai i tij Geron Agron Xhafa, është dënuar me vendim të formës së prerë 7.2 vite, për trafik ndërkombëtar heroinë dhe Prokuroria ka hetuar më pas për akuzën ndaj tij për trafik ndërkombëtar droge në vitet e fundit?

Mimi Kodheli

Ish-minsitrja e Mbrojtjes, në vitet 2015-2016, kulmin e kultivimit të drogës në Shqipëri me mijëra tonelata eksport drejt Evropës, ashtu si raportet ndërkombëtare zyrtarizojnë, kur radarët nën kujdesin e zyrtarëve të kësaj ministrie, ishin verbuar, e nuk dallonin avionë, skade etj?

Damian Gjiknuri

Ministri nën “kujdesin” e të cilit u bë tenderi 40 milionë euro i Unazës së Re në Tiranë, për dy kilometër dhe dosja kishte dokumenta të falsifikuara që vinin nga Shtetet e Bashkuara, persona të cilët kishin shkelur dhe ligj federal në Amerikë? A u hetuan dhe lidhjet e tij me gurunë Indian, sekt i hetuar për pastrim parash? Po për superdosjen e inceneratorëve denoncuar shumë herë në Prokurorinë e Posaçme ku është e pamundur të shkrepin pesë gramë hetim serioz për të marrë të pandehur personat e duhur përgjegjës?

Ilir Beqja

Ish-ministri i shëndetësisë, për të cilin ka pasur dosje te Krimet e Rënda dje dhe aktualisht në SPAK, në akuzën e korrupsionit për koncensionin e sterilizimit?

 

Lefter Koka

Ish- ministri socialist i dorëhequr nga mandati i deputetit dhe nga jeta politike befasisht, por me disa denoncime në Prokurorinë e Posaçme për dosjen e stërmadhe të inceneratorëve. Për të dhe Orlando Rakipin media ka shkruar se së shpejti do të jenë dy deputetë socialist që do të përcaktohen persona “Non grata”?

Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës me disa dosje në Krimet e rënda dje dhe SPAK sot, lejedhënësi i kullave pafundkatëshe njeriu që duhet të dëshmojë për procedimin penal nr.17 të Prokurorisë së Posaçme për hetimet e Antimafias italiane për lidhjet me “Ndranghetën”. Për kompaninë “Eco Tirana” ortakja e saj në Verona është në hetim dhe arrestime drejtuesish për lidhjet me “Ndranghetën”. Për dosjen e frikshme të inceneratorëve, për shembejn e Teatrit

Taulant Balla

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në akuza të shumta për lidhje me persona të papërshtatshëm, njëri prej të cilëve Edmond Bego, sipërmarrës me të shkuar si pjesë e një grupi kriminal, njohje të cilën e ka pranuar dhe deputetit? Apo akuzat për njohje të tjera të dyshimta në Elbasan me njerëz të organizatave kriminale, kur në zgjedhjet e 25 prillit përplasja nga kontigjentë shpërndarës të parave dhe materialeve të Partisë Socialiste u përfshinë në shkëmbim zjarri me pasoja fatale?

Ulsi Mania

Ironia vjen dhe te Minsitri i Drejtësisë në detyrë, pjesë e dosjes “184”, përgjimet e të cilëve e përfshijnë në skemën e grabitjes elektorale në vitin 2016 në Dibër?

Rrahman Rraja

Deputeti djali dhe të afërmit e të cilit janë hetuar gjykuar ndëshkuar për vepra të rënda penale, duke mos lënë mënjanë dhe trafikun ndërkombëtar të drogës?

Ergys Cyrbja

Deputeti pjesë e dosjes “184” ku së bashku me kryebashkiakun Vangjush Dako ishin në hetim për vjedhjen e votave dhe bashkëpunim me grupe kriminale të Durrësit

Alqi Bllako,

Deputet i PS, i kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme në kryedosjen e inceneratorëve qindra milionë euroshe.

 

Elvis Rroshi, Kajmaku i Vorës, e shumë kryebashkiakë të zgjedhur nga firma e Edi Ramës, me vendime dënimi jashtë Shqipërisë, zyrtarë kohëgjatë në detyra publike?

Edi Rama

Është njëherazi i pari dhe i fundit i kësaj liste, e cila duhet shpallur, nëse ky vend duhet të bëjë përpara në demokraci dhe drejtësi. Raporti OSCE akuzonte vite me parë se kishte bërë 200 milionë euro pasuri të cilat i menaxhonte nëpërmjet të vëllait nëpër Offshore. Të gjithë vartësit e tij nën këto akuza të rënda, munden të kenë një epror, shef, vendimmarrës të pafajshëm kur palçkiten miliarda euro?

Vettingu i këtyre politikanëve është bërë publikisht, gjithashtu dhe mbrojtja e dhunshme nga Edi Rama është konsumuar publikisht. Sigurisht amerikanët kanë axhendë globale, por në atë garsonierën për Shqipërinë mirë është t’i japin një dorë dhe lagjes shqiptare në Ballkan.

Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë më proamerikanë se kushdo tjetër në planet, ironikisht më shumë se mjaft amerikanë.

 

%d bloggers like this: