Nga Basir Çollaku-30 bashkitë më të mëdha të vendit me të njëjtin precedent/ Vendimi i Durrësit për 30 qershorin, Gjykata Kushtetuese e kishte Venecian

Nga Basir Çollaku

Dredhitë juridike të shartuara me porosi politike, janë gjithnjë shkaqe për të rënë sa më gjatë, e shtuar sa më tepër fjalë, me pretendimin të ngatërrojmë një lëmsh dukshëm i zgjidhur në krye të punës së nisur. Komisioni i Venecias ka dhënë opinionin e tij bazuar në pyetjet që Gjykata Kushtetuese i ka drejtuar muaj më parë.

Por zgjedhjet e 30 qershorit, duhet të vlerësohen nga Gjykata Kushtetuese edhe në aspektin e kontrollit të legjislacionit zgjedhor, pasi  këtë qëndrim ka mbajtur edhe Konisioni i Venecias në opinionin e tij.

Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 është konstatuar dhe bërë publik nga raporti i OSBE-ODIHR, fakti se në këto zgjedhje ka marrë pjesë në cilësinë e subjektit zgjedhor Partia Bindja Demokratike, e cila është regjistruar në KQZ, pa u regjistruar më parë në Gjykatë si Parti Politike.

Pra, në këtë mënyrë është shkelur legjislacioni zgjedhor për zgjedhjet vendore dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Bindja Demokratike, është regjistruar si subjekt zgjedhor nga ana e KQZ, në kundërshtim me nenin 64 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 9 të ligjit për Partitë Politike. Kjo është e provuar me një vendim gjykate të paankimuar dhe parrëzuar. Gjykata Kushtetuese, ka detyrimin ligjor që edhe kryesisht, në këtë rast, të konstatojë paligjshmërinë dhe për pasojë dhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019-të, në të gjitha bashkitë ku ka marrë pjesë si subjekt zgjedhor Partia Bindja Demokratike dhe të urdhërojë përsëritjen e tyre. Janë jo pak, por 25 bashkitë kryesore të vendit që kanë këtë precedent. Këtë pyetje të munguar, për zgjedhjet me parti të garuese paligjshmërisht, regjistruar tej afatesh përpara se të ishte zyrtarisht me vendim gjykate, subjekt politk, këtë nuk e ka çmuar Gjykata jonë supreme si të dobishme për ta shqyrtuar. Gjykata Kushtetuese nuk e përcolli në Komisionin e Venecias, por dërgoi pyetje të cilave ua dinte përgjigjet jo trazuese në kthim. Sepse partia Bindja Demokratike ka paraqitur kërkesë në KQZ për t’u regjistruar, përpara se të kërkonte në Gjykata regjistrimin e subjektit. Dihet më pas zemërata e Ramës dhe e mazhorancës ndaj gjyqtares, duke sajuar procese farsë për ta larguar nga detyra.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Durrësit, gjyqtarja Mimoza Margjeka me 17 korrik 2019, një javë pas kërkesës së Valbona Sako, e cila kërkonte si garuese në këtë proces, verifikimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë Durrës, pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Gjykata pasi ka shqyrtuar çështjen provat e paraqitura, ligjshmërinë e procesit ka vendosur  :

Vendimi plotë

R E P U B L I K A     E    SH Q I P Ë R I S Ë

GJYKATA  E  RRETHIT  GJYQËSOR  DURRËS

 

Nr.i Regj.Them.(90103-02201) 175       Datë regjistrimi 11.07.2019

Nr. i Vendimit  (11-2019    )175           Datë Vendimi  17.07.2019

 

V E N D I M

“NË EMËR TË REPUBLIKËS”

 

GJYKATA E RRETHIT GJYQËSOR DURRËS E PËRBËRË NGA ;

KRYETARE SEANCËS GJYQËSORE ——–MIMOZA MARGJEKA

 

Asistuar nga sekretare Joana Vargu në Durrës më datën 17.07.2019 mori në shqyrtim, në seancë gjyqësore çështjen civile që i përket palës;

 

KERKUESE:Valbona Sako,e bija e,Simo Bishaj, e datelindjes 02.11.1970, lindur dhe banuese në Durrës.

 

ME OBJEKT : Verifikimin  e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Durrës.

 

BAZA LIGJORE : Neni 60 pika 1 e ligjit 139/2015 “ Për Qeverisjen Vendore”.

 

Gjykata pasi  analizoi provat shkresore dhe pasi shqyrtoi çështjen në tërësi

 

-V Ë R E N-

 

Se kërkuesja Valbona Sakome datë 11.07.2019, ka paraqitur në Gjykatën e rrethit Gjyqesor Durrës, kërkesën me objekt:Verifikimin  e mandati te Kryetarit te Bashkise Durrës.

 

Përpara shqyrtimit të bazueshmërisë në ligj dhe prova të kërkesës, Gjykata analizoi juridiksionin dhe kompetencën e saj në gjykimin e kësaj çështjeje. Në bazë të nenit 36/1 të K.Pr.C në të cilin parashikohet se: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet  e tjera të parashikuara në këtë Kode në ligje të veçanta”’, në rastin konkret, kompetencae Gjykatës parashikohet nënenin 60 pika 1 e ligjit 139/2015 “ Për Qeverisjen Vendore” në të cilin parashikohet se:

‘Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij’.

Rrethanat e Faktit:

Nga aktet e administruara në dosje, ka rezultuar se, nëprocesin zgjedhor për organet e qeverisjes vendore në datën 30.06.2019, në garën për Kryetar të Bashkisë Durrës, kanë marrë pjesë 2(dy) kandidatësi më poshtë:

1-      Valbona Sakollari, Kandidate e subjektit zgjedhor Partia “Bindja Demokratike”

2-      Valbona Sako, Kandidate e Kalicionit, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”

 

Me vendimin nr. 944 datë 05.07.2019 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur:

  1. Të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultateve, për zgjedhjet e Kryetarit të Bashkisë Durrës, Qarku Durrës, bashkangjitur këtij vendimi.
  2. Të shpallë fituese për Kryetar të Bashkisë Durrës, Znj. Valbona Simo Sako, të propozuar nga Koalicioni “Aleanca Për Shqipërinë Evropiane”.
  3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë
  4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë , brenda 5 ditëve nga shpallja e këtij vendimi.

 

Sipas vërtetimit nr. 13473/1 datë 11.07.2019 tëKomisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se: Pranë KQZ-së nuk është paraqitur asnjë kërkesë ankimore, ndaj vendimit nr. 944 datë 05.07.2019 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Durres dhe shpalljen fitues të znj. Valbona Simo Sako.

 

Në rrethanat e mësiperme kërkuesja Valbona Sako i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për vertetimin e mandatit te Kryetarit të Bashkisë Durrës, sipas nenit 60/1 të ligjit 139/2015 “ Për Qeverisjen Vendore”.

Vlerësimi i Gjykatës:

Procesi Zgjedhorpër Organet e Pushtetit vendor, fillon me caktimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikes nëpërmjet Dekretit të tij.

Nëneni 92/gj tëKushtetutës së Republikës së Shqipërise,parashikohet se: Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;

Sipas neni 21 te Kodit Zgjedhor, “Data e zgjedhjeve” është data e votimit, e caktuar me dekret të Presidentit tëRepublikës.

Në ushtrim të kompetencave kushtetuese (neni 92/gj të Kushtetutes), Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka caktuar datën e zgjedhjeve per organet e qeverisjes vendore me Dekretin eNr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore me date 30.06.2019”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke qenë organi më i lartë shtetëror i përhershëm i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve, në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin Zgjedhor, në zbatim tëDekret të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018ka filluar procedurat për organizimin e procesit zgjedhor për Organet e qeverisjes vendoretëdatës 30.06.2019 .

Gjykata,në këtë lloj gjykimi ka detyrim ligjor të verifikojë mandatin e Kryetarit tëBashkisë duke analizuar të gjithë procedurë administrative dhe ligjore në rastin konkret (për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Durrës).

Në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, të datës 30 Qershor 2019, për Kryetarë tëBashkinë Durrës, garojnë me kandidatë subjektet si më poshtë:

  1. Subjekti zgjedhor Partia “Bindja Demokratike”
  2. Subjekti zgjedhor Kalicioni, “Aleanca për Shqiperinë Europiane

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve (OSCE&ODHIR Republika e Shqipërisë – zgjedhjet vendore, 30 qershor 2019) në deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake, citon si mëposhtë:

“KQZ-ja demonstroi qartazi një qasje gjithëpërfshirëse në regjistrimin e kandidatëve. Ndonëse kjo rriti numrin e garuesve, KQZ-ja e interpretoi ligjin në një mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj” .

 

Nisur dhe nga konstatiminë deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake, të Misionittë vëzhgimit të zgjedhjeve (OSCE&ODHIR Republika e Shqipërisë – zgjedhjet vendore, 30 qershor 2019),Gjykata verifikoi ligjshmerinë e ( akteve administrative) vendimeve të KQZ-së për rregjistrimin e subjekteve zgjedhore garuese, për mandatin e Kryetarit të Bashkisë Durrës.

 

Me vendimin nr. 148, datë 11.04. 2019 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur:

Të regjistrojë “Partia Socialiste e Shqipërisë”, kryetar z. Edi Rama, dhe shkronja nistore “PS”, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendoretë datës 30 qershor 2019”.

 

Me vendimin nr 251, date 07.05. 2019 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur:

Të regjistrojë Koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, (ASE) si subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019.

 

Me vendimin nr. 230, date 27.04. 2019 Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur:

Të regjistrojë Partinë “Bindja Demokratike”, me kryetar z.Astrit Patozi, dhe shkronja nistore “BD”, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendoretë datës 30 qershor 2019”.

 

Në nenin9, tëLigjit Nr.8580, datë 17.2.2000 “Për Partitë Politike”, të ndryshuar thuhet se:

 

1.Regjistrimi i partive politike bëhet në gjykatën e shkallës së parë të rrethit të Tiranës, e cila mban regjistrin e partive politike. Në regjistrin e partive politike shënohet numri rendor i regjistrit, numri i aktit, numri i vendimit gjyqësor, data e shpalljes, dispozitivi i vendimit, emri i plotë i partisë, inicialet e partisë, stema e partisë, përshkrimi i konfiguracionit të vulës, emri i kryetarit, numri I anëtarëve themelues,shënime për ndryshimin e emrit, konfiguracione të vulës ose të kryetarit të partisë, fshirjes apo mbarimit të veprimtarisë së subjektit, data e bërjes së shënimit, emri, si dhe nënshkrimi i nëpunësit kompetent.

2.Partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë.

3.Deri në datën e regjistrimit, themeluesit e partisë mund të kryejnë veprime që janë të nevojshme për organizimin e saj, siç janë, sidomos,thirrja e zhvillimi i mbledhjes së themeluesve dhe zgjedhja e organeve drejtuese, por nuk mund të kryejnë veprimtari si parti politike.

 

Nënenin 64te Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, thuhet se:

 

  1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
  2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor përçdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ

:a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë;

  1. b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqiturkandidatët;
  2. c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë;

ç) specimenin e vulës së partisë;

  1. d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë;
  2. dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në.

 

Në nenin 65 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë thuhet se:

 

  1. Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
  2. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.

 

Sipas vendimitnr 148, datë 11.04. 2019 të KQZ-se rezultoi se, regjistrimi isubjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqiperise”, për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, të datës 30.06.2019, ështëbërë, brenda afatit 70 (shtatëdhjetë) ditor të parashikuar, nënenin 64 të Kodit zgjedhor.

 

Sipas vendimitnr. 251, datë 07.05. 2019t e KQZ, rezultoi se, regjistrimi iKoalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, (ASE) si subjekt zgjedhornë zgjedhjet për Organet e Qeverisjes vendore, është bërë brenda afatit 60 (gjashtëdhjetë) ditor të parashikuar, nënenin 64 të Kodit zgjedhor.

 

Gjykata konstaton se, vendimi nr. 230, datë 27.04. 2019 te KQZ-së për regjistrimin si subjekt zgjedhor te Partisë“Bindja Demokratike”, ështe marrë  në shkelje të hapur menenin 64 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 9 të Ligjit “Për Partitë Politike”(ligji material), dhe për rrjedhojë,  konstatohet nga gjykata si akt administrativ absolutisht i pavlefshëm , sipas neneve 108 dhe 109 të Kodit të Procedurave Administrative .

Në lidhje më këtë konstatim Gjykata arsyeton si më poshtë:

 

Afati për të paraqitur kërkesë nga partitë politike, është përcaktuar nënenin 64të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në të cilin thuhet se: “Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve”.

 

-Bazuar në nenin 64 të Kodit Zgjedhor, në zgjedhjet e datës 30.06.2019, afati i fundit për të paraqitur kërkesë nga partite politike, për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ është përcaktuar data 23.04.2019, pasi data 21 si afat i fundit ishte ditë e Shtunë.

 

-Partia “Bindja Demokratike, me datën 23.04.2019 ka paraqitur kërkesë, pranë KQZ-së, për tu regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, të dates 30.06.2019.

 

-Regjistrimi në Gjykatë i Partisë “Bindja Demokratike”është bërë me vendimin nr 8, datë 25.04.2019 të Gjykates e Rrethit Gjyqesor Tirane, vendim i cili ka marrë formë të prerë me datë 10.05.2019.

 

-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar kërkesën e Partisë Bindja Demokratike dhe ka bërë rregjistrimin e kësaj partie si subjekt zgjedhor, me vendimin e sipërcituar në kundërshtim me nenin 64të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në të cilin parashikohet se:

  1. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ

:a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë;

 

-Në momentin e paraqitjes së kërkesës “Partia Bindja Demokratike”, nuk kishte fituar akoma personalitetin juridik, pasi në mbeshtetje të nenit 9/2 te ligjit “Per Partite Politike”, “Partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë”.

 

-Gjithashtu Partia ‘Bindja Demokratike”, duke mos qene e rregjistruar në Gjykate, në momentin e paraqitjes së kërkesës për tu regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, nuk kishte zotesi juridike për të fituar të drejta dhe për të marrë përsipër detyrime, sikurse ështëmarrja pjesë nëzgjedhjet e Organeve të Qeverisjes vendore të datës 30.06.2019.

 

-Sa sipër, rezulton se Partia Bindja Demokratike është regjistruar si subjekt zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ-s) në shkelje të nenit64të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe nenit 9 të Ligjit “Per Partite Politike”.

 

-Për raste të ngjashme ka dhe precedentë të mëparshëm, në të cilat KQZ ka rrëzuar kërkesën e subjekteve politike për tu rregjistruar si subjekte zgjedhore dhe për te marre pjese në zgjedhje, pa patur me parë, një vendim Gjykate të formës së prerë për rregjistrimin e tyre në gjykatë. Shembull është vendimi nr. 158 datë 16.04.2015 me anë të të cilit KQZ-ja ka vendosur: Të mos rregjistrojë në zgjedhje Partinë “Shkodra 2015”, për të marrë pjesë në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21.06.2015 me arsyetimin se:

Vendimi i rregjistrimit në Gjykatë merr formë të prerë jashtë afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor për rregjistrimin e Partive Politike si subjekte zgjedhore.

 

-Partia “Bindja Demokratike”ështe regjistruar në Gjykatë me datën 25.04.2019, pasi kishte përfunduar afati për rregjistrimin e subjekteve zgjedhore nëKomisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019.

 

Gjykata, duke patur parasysh sa u parashtrua më lart dhe bazuar në nenin 9 të ligjit “Për Partitë Politike”, nënenin 64të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në nenet 108, 109 dhe 110 të Kodit të Proçedurave administrative, konstatonsi akte absolutisht të pavleshme aktet e mëposhtme:

 

1-      Vendimin nr 230, datë 27.04. 2019 të KQZ-së, Për regjistrimin e subjektit zgjedhor “Partia Bindja Demokratike” për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019.

 

2-      Vendimin nr 660, date 27.05.2019 të KQZ-së, Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkia Durrës për Zgjedhjet për organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019.

 

3-      Vendimin nr 944, datë 05.07.2019 të KQZ-së, Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkise Durres, Qarku Durrës, në zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.

 

 

Gjykata pasi analizoi çështjen në tërësi, arriti në përfundimin se, kërkesa e kërkueses Valbona Sako për vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Durrës duhet rrëzuar.

 

 

PER KETO ARSYE :

 

Gjykata bazuar ne nenin 60 pika 1 e ligjit 139/2015 “ Per Qeverisjen Vendore”.

 

 

V E N D O S I :

 

Rrëzimin e kërkesës së kërkueses Valbona Sako për Vertetimine mandatit të Kryetarit të Bashkisë Durrës.

 

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Durrës, brenda afatit ligjor 5 ditor, afat i cili fillon nga e nesërmja e komunikimi të këtij vendimi të arsyetuar.

 

U shpall në Durrës, me datë 17.07.2019

 

GJYQTARE

MIMOZA MARGGJEKA

%d bloggers like this: