Kryeministri Rama shpall krizën e energjisë elektrike, paralajmëron rritje marramendëse çmimesh

Për rritjem e çmimit të bukës, ushqimeve të shportës dhe së fundmi edhe të naftës, që po varfëron edhe me tepër shqiptarët, jo vetëm nuk do të ketë zgjidhje nga qeveria, por situata do të vijojë të përkeqësohet. Këtë e bëri me dije të djelën vetë shefi i ekzekutivit, Edi Rama i cili theksoi se vendit po i kanoset një krizë akoma më tronditëse, që do të zgjasë për 6 muaj ndërsa paralajmëroi rritje marramendëse çmimesh. Në mesazhin drejtuar shqiptarëve Rama shpreh se edhe vendi ynë si gjithë bota, nuk mund t’i shmanget dot rritjes së çmimit të energjisë.

“E gjithë kjo panoramë e situatës energjitike, me vetëm disa prej shembujve larg e afër nesh, vlen për të krijuar një ide të përgjithshme të kësaj krize, ku duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale. Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjitike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.”

Krahasimet, Rama i bëri me Italinë, duke treguar se atje parashikohet rritje e faturës së energjisë me 40%, e po ashtu shtete si Britania, Bullgaria e të tjera, duke thënë se duam apo nuk duam ne dhe Shqipëria do të preket nga kjo fortunë globale

‘Në Britani, 15 milionë familje pritet të afektohen negativisht nga rritja e cmimit të energjisë. Në Itali, qeveria ka njoftuar qytetarët për një rritje prej 40% të faturave të tyre gjatë muajve të ardhshëm. Po kështu në Bullgari, çmimet shënojnë një rritje prej 72% nga fillimi vitit, duke e cuar çmimin mesatar të energjisë në 133 Euro/MËh.

Krizën globale që nuk lë pa përfshirë as Shqipërinë Rama e krahasoj me fatkeqësitë natyrore si tërmeti dhe pandemia

“Fatkeqësisht dhe pavarësisht prej dëshirës apo vullnetit tonë, këto vitet e fundit u bënë si ajo fjala, “nga lufta vijmë në luftë shkojmë”, por siç dolëm më të fortë nga tërmeti, e siç po dalim më të fortë edhe nga pandemia, çka e tregojnë kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike, pas mbylljes dramatike të ekonomisë, kështu do të dalim edhe nga kjo fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare që nuk i kemi ne në dorë”.

Ndonëse qeveritë kanë përgjegjësi për të qënë rregullatorë të kësaj krize, që efektet e saj të  ndjehen sa më pak tek popullsia, Edi Rama tha se përgjegjesia e vetme që ai ka përballë kësaj situatë është të mbrojë shtresat në nevojë. “Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh”.

%d bloggers like this: