KE paraqet progres-raportin/ Shqipëria ende probleme me sundimin e ligjit dhe lirinë e medias

Komisioni Europian paraqiti këtë të martë në Parlamentin Europian Raportin vjetor për Shqipërinë, mbi ecurinë dhe arritjet e saj në procesin e anëtarësimit në BE. Në dokumentin e prezantiar nga komisoneri për zgjerimin Oliver Varheley, vlerësohet se Shqipëria duhet të punojë ende në reformën në administratën publike dhe atë të drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit krimit të organizuar. Në të theksohet se gjatë periudhës së raportimit, nuk është bërë përparim sa i takon lirisë së shprehjes.

“Në aspektin politik, – thuhet në raport – zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit u mbajtën pas marrëveshjes shumëpartiake të 5 qershorit 2020, dhe sipas OSBE ato ishin përgjithësisht të mirorganizuara. Në legjislaturën e re shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku për agjendën e reformës për hapjen e negociatave me BE-në” – theksohet në raport. Në të kërkohet që decentralizimi i kompetencave të pushtetit vendor, fuqizimi i bashkive dhe autonomia fiskale e tyre duhet të ecë paralel me reformën territoriale për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve. “Përparim i kufizuar u bë për të krijuar një klimë të nevojshme për shoqërinë civile, po ashtu edhe në rritjen e kapaciteve të administratës publike për reformat” –

Strukturat e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve u plotësuan me hetues dhe pritet që kjo të përmbyllet para fundit të vitit, vëren raporti, por SPAK dhe Gjykata për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ngrejnë më lart aftësitë e tyre hetimore në ndjekjen e korrupsionit, ‘i cili mbetet një shqetësim serioz, sepse mbizotëron në shumë fusha të jetës publike e private”.

Në fushën e të drejtave themelore Shqipëria ka bërë përpjekje për të mbrojtur dhe arsimuar pakicat kombëtare. Ndërsa në fushën e lirisë së shprehjes Shqiëria nuk janë bërë përparime gjatë periudhës së raportit.

“Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar. Tensionet midis aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë krizës COVID-19 si dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare. Sulmet e raportuara kundër gazetarëve nuk kanë rezultuar në asnjë dënim përfundimtar” – thuhet në raport.

Në të theksohet se vetë-rregullimi në mediat online duhet të sigurohet, ndërsa hapat për ta bërë plotësisht funksional autoritetin rregullator audio-vizual duhet të ndërmerren në një mënyrë që siguron pavarësinë dhe legjitimitetin e tij.

%d bloggers like this: