Denoncon PD/ Gjiknuri i përfshirë në aferën e gazit të Albpetrol me Mirel Mërtirin e inceneratorëve, 230 mijë euro dëm ekonomik

Partia Demokratike, akuzoi këtë të martë, Damian Gjiknurin se është i përfshirë në aferën e gazit të Albetprolit me Mirel Mërtirin e inceneratorëve,  duke i shkatuar buxhetit, 230 mijë euro dëm ekonomik. Zëdhënësja e selisë blu, përmes një deklarate Ina Zhupa, tha se nuk është krizë energjie, por korrupsioni.

“Një skemë korruptive për shitjen e 3 milionë metër kub gazi industrial nga vendburimet Cakran-Mollaj/Ballsh-Hekal, e cila ka në qendër ish-ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri, ish-drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka dhe Mirel Mërtirin e afërave të inceneratorëve.  Sipas hulumtimit, edhe pasi kanë aplikuar një formulë të ndryshme nga ajo zyrtarja e ERE-s për llogaritjen e çmimit, treshja Gjknuri-Puka-Mërtiri, nuk e kanë respektuar atë formulë, pasi sipas kësaj formule, çmimi dilte me koston 25.33 lekë­/Nm³, ndërsa Mërtiri e siguroi blerjen e gazit me vlerën 15 lekë/Nm³. Pra, falë bashkëpunimit mes Gjiknurit dhe Pukës, Mirel Mërtiri, dhe vëllain e tij, Ervin Mërtiri, që atë kohë ishte në krye të drejtorisë që mbulonte shitje e sasive të gazit për Albetrolin në drejtorinë e Tranagatit, e ka blerë gazin me një ulje prej 230 mijë e 913 euro nga çmimi që impononte formula e përdorur.”

Zhupa, deklaroi se kjo kontratë, rezulton e zhdukur nga Protokolli i kompanisë Albpetrot, çfarë tregon se shteti i shërben interesave të klientit, në dëm të qytetarëve.

“Kjo kontratë e lidhur në fshehtësi të plotë nga treshja Gjiknuri, Puka Mërtiri, rezulton e zhdukur nga protokolli i Albeptrol, nxjerr në pah se si nën drejtimin e Ramës dhe ministrave të tij, shteti është kthyer në një shtet privat që i shërben interesave të klientëve të pushtetit, në dëm të interesave të familjeve shqiptare.”

Sipas zëdhëneses së selisë blu, kjo kontratë korruptive, që prej vitesh i ka shpëtuar shqyrtimit të drejtësisë, meriton një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës, pasi teksa Rama flet për krizë të energjisë, dëmet e bëra në sektorin e energjisë, nuk mund të paguhen nga qytetarët, por nga përgjegjësit e krizës së korrupsionit.

%d bloggers like this: